Foto: Ilustrim

Ekskluzive: Kush janë personat e arrestuar për vrasjen e burrit në Malishevë?

Dy persona janë arrestuar sot si të dyshuar për vrasjen e Sefer Berishës në Lladrovc të Malishevës,

KALLXO.com merr vesh se të arrestuar për këtë rast janë Granit Alushani dhe Behare Zabelaj.

Për këtë rast ka aktakuzë dhe po gjykohet edhe Nafije Rrafshi. Sipas policisë, viktima ishte vrarë me armë zjarri në automjetin e tij më 4 gusht të vitit 2018.

Sot, prokurori Ali Uka ka konfirmuar për Kallxo.com se janë arrestuar dy persona dhe të njëjtit po mbahen në ndalim policor.

Fillimisht nga organet policore për këtë rast të vrasjes së 4 Gushtit 2018, ishte arrestuar një burrë.

Mirëpo më pas, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kishin gjetur si të dyshuar Nafije Rrafshin.

E dyshuara ndodhet në paraburgim që nga tetori i vitit të kaluar.

Nafije Rrafshi e akuzuar për vrasjen e Sefer Berishes dhe për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar e pafajshme për vrasjen ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

Sipas Prokurorisë kjo ngjarje ka ndodhur për arsye ende të panjohura për ata.

Aktakuza shpjegon se Nafije Rrafshi në fshatin Lladrovc të Malishevës, kishte vrarë tani të ndjerin Sefer Berishën 57 vjeçar.

Në aktakuzë thuhet se derisa Sefer Berisha ishte duke e vozitur automjetin e tij të udhëtarëve dhe ndalet në një breg në afërsi të një pylli, e pandehura Nafije shkon dhe i ulet në ulësen e pasme.

Pas një fjalosjeje dhe kacafytje e njëjta nga çanta e saj nxjerr revolen dhe e qëllon të ndjerin disa herë dhe më pas largohet nga vendi i ngjarjes- thuhet në aktakuzë.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-nje-te-dyshuare-per-vrasjen-ne-lladrovc-te-malisheves/