Ilustrim

Ekskluzive - Dosja e Prokurorisë për vajzën që kanosi hoxhën e Mitrovicës

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurën S. T. nga Komuna e Vushtrrisë për kanosje, shantazh dhe përdorim të armës ndaj hoxhës së Mitrovicës S. B.

Prokuroria ka marrë vendimin mbi fillimin e hetimeve kundër S. T., për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, kanosje dhe shantazh, raporton KALLXO.com.

Sipas vendimit të Prokurorisë, e pandehura S. T. ka pasur probleme shëndetësore dhe para një kohe të caktuar ka shkuar te hoxha S. B. në mënyrë që kinse t’i ndihmoj që t’i tejkaloj problemet në fjalë.

“Ka shkuar te ai disa herë dhe kanë hyrë në lidhje dashurie”, thuhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Më tej, në kërkesën për caktimin e paraburgimit, i dëmtuari S. B. ka dashur që ta ndërpres lidhjen me të, mirëpo e pandehura e ka kanosur me mesazhe përmes telefonit mobil dhe e ka shantazhuar se nuk do ta lë të qetë atë dhe familjen e tij, përderisa ai nuk ia jep asaj 10 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari S. B. ia ka dhënë shumën e cekur të parave, mirëpo e pandehura edhe më tutje ka vazhduar që ta shantazhojë. Kështu që me datën 5 nëntor 2019, ka shkuar para shtëpisë së tij dhe aty ka shtënë një herë me armë në ajër.

E pandehura S. T., në deklaratën e saj ka pranuar veprat me të cilat ngarkohet.

Ndërsa i dëmtuari S. B. në deklaratën e tij ka përshkruar mënyrën se si ka hyrë në kontakt me të pandehurën, mirëpo edhe se si ajo e ka kanosur, shantazhuar dhe para shtëpisë së tij ka shtënë me pistoletë, dhe me shantazhime ka vazhduar edhe pasi ai ia ka dhënë asaj paratë e kërkuara.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimit thuhet që pistoleta nga e cila e pandehura ka shtënë është gjetur në shtëpinë e saj dhe është konfiskuar me vërtetim, derisa në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, raporton KALLXO.com

E pandehura disa herë e ka kanosur të dëmtuarin me mesazhe në telefon, dhe ka vazhduar që ta shqetësojë edhe pse nga ai i ka marrë paratë e kërkuara, kështu që Prokuroria e Mitrovicës ka konsideruar se ekziston dyshimi i bazuar se e njëjta do t’i përsëris veprat penale.

“Në bazë të atyre që janë cekur më lart konsideroj se masa të tjera nuk janë të mjaftueshme për t’a siguruar prezencën e të pandehurës dhe nuk janë të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, kështu që të pandehurës duhet t’i shqiptohet masa e paraburgimit gjyqësor”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarës për kanosjen e imamit S. B.