Ilustrim

Efekti i KALLXO.com, Arrestohet përsëri turku i kërkuar nga Gjermania

Rreth një muaj pasi KALLXO.com kishte raportuar se dosja e kërkesës së ekstradimit për një shtetas turk, e ardhur nga Gjermania, kishte humbur në Prokurorinë e Prishtinës, i kërkuari nga autoritet gjermane është arrestuar përsëri.

Burime të KALLXO.com brenda Policisë së Kosovës, konfirmojmë se i kërkuari për vjedhje grabitqare që mban shtetësi të dyfishtë turko-gjermane, Sinan Tataroglu është arrestuar ditën e djeshme.

KALLXO.com në fund të muajit të kaluar kishte raportuar se si Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte liruar turkun e kërkuar nga Gjermania për arsye se kërkesa për ekstradimin e të cilit kishte humbur në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës, për KALLXO.com kishte konfirmuar se e kanë dërguar kërkesën në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ndërsa U.D i Kryeprokurorit, Kujtim Munishi nuk ishte ne dijeni se ku gjendej kërkesa.

Dijeni për kërkesën nuk kishte as prokurori i çështjes, Hivzi Bajraktari.

Tataroglu ishte arrestuar si i kërkuar se ka kryer veprën penale të vjedhjes grabitqare të paraparë me Kodin Penal të Gjermanisë.

Deri te vendimi mbi refuzimin e kërkesës për vazhdim të paraburgimit dhe rrjedhimisht lirimin e tij ka ardhur pasi që Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e paraburgimit është paraqitur jashtë afatit dhe njëkohësisht, Ligji për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar parasheh se  gjykata sipas detyrës zyrtare e liron personin nëse brenda 40 ditësh nga arrestimi nuk parashtrohet kërkesa zyrtare me dokumentet përcjellëse për ekstradim.