Edhe tri viktima pranohen në procesin gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

Trupi gjykues II ka nxjerrë vendimin e gjashtë në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave në procesin gjyqësor në çështjen e Hashim Thaçit dhe të tjerëve.

Tre kërkesa të tjera të paraqitura nga viktimat janë pranuar dhe do të shtohen në grupin ekzistues të viktimave në këtë çështje.

Grupi i viktimave pjesëmarrëse (grupi 1) që numëronte më parë 137 viktima, tani do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës viktimash.

Shtatë kërkesa të tjera u refuzuan në vendimin më të fundit të trupit gjykues II.

Me këto shtesa, numri total i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 140.

Për detaje të mëtejshme rreth vendimit, dokumentin e plotë mund ta lexoni në këtë LINK.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Në aktakuzën e publikuar janë bërë të ditur edhe emrat e disa nga viktimat që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë në vitin 1998 dhe 1999.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Deri më tani, Gjykata ka refuzuar çdo kërkesë për mbrojtje në liri të ish-krerëve të UÇK-së.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.