Foto - Fjolla Bici - KALLXO.com - 15.02.2022

Edhe një kosovar dënohet pasi e pranoi se ishte snajpersit në ISIS

Skënder Qerimi, është dënuar me 3 vite e 3 muaj burgim nga Gjykata e Prishtinës.

Një ditë më parë, Qerimi ka pranuar fajësinë për pjesëmarrje në luftërat e ISIS-it dhe angazhim në Batalonin e Snajperistëve.

Sipas aktgjykimit, në dënimin e shqiptuar Qerimit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 korriku 2021.

Për marrjen e këtij vendimi, gjykatësja Suzana Çerkini theksoi se gjykata ka aplikuar dispozitat e zbutjes, pasi që i akuzuari ka pranuar fajësinë në tërësi për veprën penale e cila i vihet në barrë sipas kësaj aktakuze.

Në fund, gjykatësja tha se palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi mund të paraqesin ankesë përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.

Në aktakuzën e prokurorisë Speciale thuhet se Qerimi në vitin 2014 udhëtoi nga qyteti i Ferizajt, për në Siri, përmes disa lidhjeve të caktuara.

Sipas prokurorisë, pas regjistrimit në ISIS Qerimi ka vijuar trajnimet fizike, taktike dhe luftarake, si dhe ligjërata fetare.

Dosja e Prokurorisë theksonte se Qerimi i pajisur me uniformë ushtarake të ISIS-it dhe me pushkë automatike AK47, Qerimi kishte marrë pjesë në luftërat e ISIS-it, në qytetin Mosul, Zumer e Sedfaruk.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ai ka qenë i angazhuar edhe në Batalionin e Snajperistëve në kontigjentin “Ebu Abdurrahman El Beilavi”, në brigadën “Dabik”.

Dëshmi për këto, prokurori special pretendon se ka gjetur në pakot e provave që ua ka siguruar Byroja Federative Amerikane e Hetimeve – FBI.

Qerimi ka deklaruar se ishte vetëdorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri në korrik të vitit 2017, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

 

Kosovari e pranon se luftoi përkrah forcave të ISIS-it