E pazakontë, avokatëve nuk u lejohet hyrja në Gjykatën e Prishtinës

 

Gjatë ditës së sotshme ka ndodhur diçka e pazakontë në sistemin e drejtësisë.

Avokatët të cilit kanë shkuar për t1i mbrojtur klientët e tyre nuk kanë mundur të hyjnë në Gjykatë e Prishtinës pasi nuk e kanë paguar anëtarësinë në Odën e Avokatëve.

Kjo sipas avokatit Nasuf Hasani është bërë me vendim të njëanshëm të kryetarit të Odës së Avokatëve, Osman Havolli.

“Kryetari i Odës së Avokatëve përmes zyrtarit të Odës Florim Shefqeti, i është drejtuar KGJK-së, që avokatëve pas datës 15 janar 2020 mos t`u lejohet të futen në seancë pa ID kartelë të re të vitit 2020”, ka thënë Hasani.

Sipas avokatit Nasuf Hasani, i cili njëherit është kryetar Degës së OAK-së në Prishtinë, tha se ky vendim është dashur të merret në Këshillin Drejtues të OAK-së, e jo në mënyrë të njëanshme të kryetarit.

Ai e paralajmëroi kryetarin Havolli se për prishjen e imazhit të avokatëve do të përgjigjet shumë shpejtë.

“Ky lloj vendimi për pajisjen e avokatëve me ID kartelat e vitit 2020 duhet të merret në Këshillin Drejtues të Odës së Avokateve, e që në këtë rast vendim të tillë nuk kemi. Osman Havolli është duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare për qëllime të tija meskine, dhe për këtë prishje të imazhit ndaj avokatëve i sigurojë avokatët e Prishtinës se Osman Havolli do të përgjigjet shumë shpejtë”, tha Hasani.

Ndryshe nga Nasuf Hasani, kryetari i degës së OAK-së në Prishtinë, në Prizren Hajrip Krasniqi i ka dalë në mbrojtje kryetarit Osman Havolli.

Ai ka thënë se të gjithë avokatët kanë qenë të njoftuar se deri me 15 janar duhet të pajisen me ID kartela dhe kjo duhet të vihet në zbatim dhe jo të diskutohet.

“Të gjithë avokatët jemi njoftuar që deri me 15 janar duhet të pajisemi me ID kartela të reja, ka qenë njoftim i përgjithshëm, nuk ka nevojë të diskutohet kjo çështje në Odën e Avokatëve është rregull që duhet të vihet në zbatim”, ka thënë Krasniqi.

Flamur Ahmeti, Kryetar i Degës së Odës për rajonin e Gjilanit prej Gjilanit, ka deklaruar për KALLXO.com se nuk ka probleme të ngjashme me ato të avokatëve në Prishtinë.

“Jo nuk kemi asnjë problem të kësaj natyre, edhe pse kemi avokat që nuk e ka ende ka ID kartelën. Unë i kam ID-të e reja të krejt avokatëve të Gjilanit, kush e paguan anëtarësinë vjen e merr (ID), kanë kohë deri më datën 31 janar, pas kësaj date unë ID-të i dorëzoj në qendër në Prishtinë”, ka thënë shkurt Ahmeti.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me kryetarin e Odës, Osman Havolli. I njëjti ka deklaruar që t`i drejtohemi me shkrim. Poashtu KALLXO.com ka provuar të marrë një deklaratë edhe nga drejtori i Odës, Florim Shefqeti, por as ky i fundit nuk është përgjigjur thirrjeve telefonike.