Gjykimi për grabitje - Foto: KALLXO.com

E dëmtuara: Nën kërcënimin e armës dhe sëpatës të akuzuarit na grabitën 50 mijë euro

Në Gjykatën e Pejës sot është mbajtur gjykimi në rastin e Xhavit Berishës dhe Exhevit Zekiqit, të akuzuar për grabitje të 50 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, Xhavit Berisha dhe Exhevit Zekiq, më 23 korrik 2018, në fshatin Kashicë të Istogut në shtëpinë e Agim Shoshit me kanosje serioze për të sulmuar jetën e personave të tjerë me armë dhe atë të dëmtuarave Ilirida Shoshi dhe Edona Lajqi-Shoshi, ua marrin shumën e të hollave prej 50.000 dhe gjësende në vlerë prej 1.800 euro.

Në seancën e sotme e dëmtuara Ilirida Shoshi rrëfeu para trupit gjykues se ditën kritike nën kërcënim i akuzuari Xhavit Berisha me armë dhe i akuzuari Exhevit me sëpatë, e kanë detyruar t’ua dorëzojë shumën e të hollave prej 50 mijë euro.

I akuzuari Xhavit Berisha, i cili edhe paraprakisht kishte pranuar fajësinë, pranoi para trupit gjykues të gjitha veprimet që e inkriminojnë atë në këtë çështje penale.

“Është e vërtetë  që unë dhe Exheviti  i kemi shkëmbyer numrat, unë prej Italisë kam ardhur absolut vetëm për këtë rastin në fshatin Kashicë e që jemi duke u gjykuar sot. Exheviti më ka lajmëruar përmes SMS-ve, dhe më tha hajde në Kosovë se e kam një muhabet me ty. I njëjti më tha se janë në pyetje 400.000 euro, ku unë erdha në Kosovë dhe erdhi momenti për ngjarjen e datës 23.07.2018”, deklaroi Berisha.

I akuzuari Berisha para trupit gjykues shtoi se ditën kritike ka pasur revole në dorë, gjersa i akuzuari Exhevit ka pasur në dorë një sëpatë të vogël, ku kanë marrë në shtëpinë e të dëmtuarit Agim Shoshi shumën prej 50 mijë euro.

I akuzuari Exhevit nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

“Unë as në Polici, as në Prokurori, as para kësaj Gjykate nuk e kam pranuar paraprakisht këtë vepër dhe edhe në këto momente mbes prapa këtij qëndrimi”, deklaroi i akuzuari Zekiq.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Sami Sharraxhiu, së përse pikërisht atë e kishin identifikuar të dëmtuarat në fotografitë  e treguara nga Policia, i akuzuari Zekiq tha se gjatë procesit të identifikimit përmes fotografive nuk kishte qenë prezent mbrojtësi i tij.

Seanca e radhës është shtyrë për datën 2 tetor 2019.