Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

E akuzuara për terrorizëm: Burri më mashtroi, më tha po shkojmë në pushime e më çoi në ISIS

E akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës se i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, Remzije Qazimi e ka pranuar veprën e cila i vihet në barrë, pas konsultimit paraprak me mbrojtësen e saj, avokaten Kimete Krasniqi.

“E pranoj që jam kanë në Siri, po s’jam shku me vetë dëshirë, se vetë nuk isha shku kurrë. Burri më ka çu atje. Burri më ka mashtru për me shku në Siri, duke pretendu se po shkojmë për pushime”, tha ajo.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër, më 24.1.2020.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se si e pandehura më 23.8.2014 kishte shkuar nga Kosova në Siri, ku me dashje dhe me qëllim i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, e cila po luftonte në Siri e Irak, ku shkaktonte akte dhune nga maltretimet më të skajshme e gjer te vrasjet e civilëve të pafajshëm në këto shtete.

ISIS nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është shpallur organizatë terroriste.

Më këtë Prokuroria po e ngarkon Remzije Qazimin me veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.