E akuzuara pendohet që shkoi në ISIS: Kam shkuar pa dëshirën time

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca gjyqësore ndaj të akuzuarës Liridona Lutolli, me mbiemër tani Aliu, për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Agron Bajrami, e akuzuara e pranoi fajësinë lidhur me veprën penale që i vihet në barrë.

E akuzuara gjatë kësaj seance deklaroi se ishte penduar, se kjo ishte hera e parë që ka rënë në kundërshtim me ligjin dhe se në zonën e konfliktit kishte shkuar pa dëshirën e saj.

“Ky ka qenë një gabim i imi jashtëzakonisht i madh dhe i premtoj Gjykatës që asnjëherë nuk do të përsëris këtë gabim”, tha ajo.

“Sa kam qëndruar në Siri kam tentuar të kthehem në Kosovë, nuk kam pasur mundësi dhe për këtë ishte njoftuar  Ministria e Punëve të Brendshme që unë kam tentuar me u kthy dhe kam kërkuar ndihmë prej tyre por s’kam pasur mundësi me u kthy derisa vendosi shteti me na marrë dhe jam e lumtur që tani jam në Kosovë” tha e akuzuara.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten, më 24 janar.

Aktakuza shpjegon se e pandehura Liridona Lutolli më 8.12.2013 me vetëdije të plotë përmes aeroportit të Prishtinës ka udhëtuar në drejtim të Stambollit- Turqi, nga ku pastaj ka kaluar në destinacionin e saj në Siri, gjegjësisht në zonën e konfliktit, me qëllim për t’iu bashkangjitur grupeve terroriste ISIS dhe Al-Nusra të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë më datë 20.4.2019.

Më këtë Prokuroria po e ngarkon se ka kryer veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.