E akuzuara Dhurata Hoxha ballafaqohet me rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatë

Ish-zyrtarja e prokurimit në ish-Ministrinë e Integrimit Evropian, Bleta Vërbovci- Cana deklaroi se kërkesën për inicimin e procedurës së prokurimit për ‘lobimin’ e ka bërë ish-ministrja Dhurata Hoxha.

Dëshmitarja Vërbovci- Cana për inicimin e procedurës tha se pasi kjo procedurë ka qenë procedurë e jashtëzakonshme ndoshta edhe ka pasur të drejtë ta inicioj ministrja Hoxha.

“Në këtë rast ka qenë urgjencë ekstreme sipas kërkesës, ku ministrja e cila i ka precizuar rrethanat për çfarë arsye me u lidh kontrata me këtë operator ekonomik”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja deklaroi se ka qenë anëtare e komisionit për zhvillimin e negociatave në procedurën e prokurimit që MIE kishte zhvilluar me operatorin ekonomik “Mayor Elle PR”.

Ajo tha se negociatat për kontratën e parë janë zhvilluar përmes e-mailit, ndërsa për vazhdimin e kontratës tha se negociatat ishin zhvilluar në Paris, në zyrat e operatorit ekonomik.

Sipas dëshmitares, për zhvillimin e negociatave operatori ekonomik ish dashur të ftohej nga autoriteti operativ.

“Negociatat ish dashtë me u ftu prej autoritetit operativ, por pasi që operatori nuk ka mujt me ardhë atëherë jemi detyruar me marrë vendim ashtu që negociatat kanë fillu përmes e-maileve, ndërsa radhën e dytë është negociua në Paris”, tha tutje dëshmitarja.

Për negociatën në Paris, ajo tha se kishte shkuar në cilësinë e anëtares së komisionit së bashku me Novitet Nezajn si kryetar i komisionit dhe Vahidin Nurshabaj.

Dëshmitarja tha se në udhëtim kishin marrë pjesë edhe udhëheqësi i divizionit të prokurimit Fitim Mustafa, sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Kushtrim Cukaj dhe menaxheri i kontratës Gëzim Dushi.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Special Dren Paca, dëshmitarja tha se shërbimet e kësaj kontrate kanë qenë për konsulencë, monitorimin e mediave dhe caktimin e agjendave.

Ajo shtoi se gjatë vizitës në Paris nuk ishte nënshkruar kontrata por vetëm kishin negociuar.

Mirëpo, sipas saj para fillimit të negociatave kishte qenë i ndarë buxheti për një kontratë të tillë.

Në pyetjen e prokurorit Paca se si mund të jetë një procedurë emergjente kur fillimisht ishte alokuar buxheti, dëshmitarja tha se arsyetimi për emergjencë ekstreme në rastin konkret ka qenë sipas kërkesës së ministres Hoxha.

Dëshmitari tjetër Valon Hetemi, njoftoi se ka qenë anëtar i komisionit për pranimin e faturës së muajit tetor të vitit 2019 për operatorin ekonomik “Mayor Elle PR”.

Mirëpo, ai tha se nuk ka qenë i angazhuar në asnjë fazë të prokurimit.

Ai tha se si anëtar i komisionit ka qenë i ftuar nga kolegët e tij Valon Jonuzi dhe Bardh Xërxa për të shqyrtuar shërbimet që i ka kryer operatori ekonomik.

Dëshmitari Hetemi shtoi se nga operatori ekonomik kishin kërkuar sqarime shtesë të aktiviteteve që janë kryer nga operatori ekonomik për muajin tetor, për shkak të mos korrespondimit të aktiviteteve me shërbimet që ishte dashur t`i kryente operatori ekonomik.

Mirëpo, dëshmitari tha se si komision kishin refuzuar pranimin e kësaj fature dhe se nuk është në dijeni nëse e njëjta është paguar nga MIE.

Sipas dëshmitarit Hetemi objekt i kontratës ka qenë promovimi i inteferimit evropian të Kosovës dhe lobimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, e sidomos në Francë përmes aktivitete integruese.

Dëshmitar tjetër ka qenë edhe Novitet Nezaj, i cili deklaroi se ka qenë plotësisht i përfshirë në negocimin e marrëveshjes më “Madison Global”, ndërsa tha se ka qenë më pak i përfshirë tek operatori “Mayor Elle PR”.

Sipas dëshmitarit Nezaj, aktiviteti i prokurimit që ai kishte negociuar ka qenë i bazuar në pesë shtylla.

Sipas tij këto shtylla kanë pasur të bëjnë me rritjen e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, në organizatat e përbashkëta ku merr pjesë BE dhe SHBA, në planifikimin e dokumenteve strategjike, në koordinimin e fondeve të huaja dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Izraelit.

Ndërsa, në kohën kur ka ardhur njohja e Izraelit, dëshmitari Nezaj tha se kontrata e operatorit ekonomik “Madison Global” nuk ka qenë aktive.

Sa i përket fushëveprimtarisë së MIE, dëshmitari Nezaj tha se në vitin 2010 është miratuar një vendim nga ish-kryeministri Hashim Thaçi, në të cilin është treguar fushëveprimtaria e kësaj ministrie.

“Këtu hyn një kategori ku nuk mund t’i përcaktoj për shkak se nuk mund t’i mbaj mend ku shihet qartë bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare, përafrimi i legjislacionit të Kosovës me BE e cila më pas, pas një pune shumë dinamike nën kryesimin e ish-sekretarit Shasha, e cila është pasu nga ministrja Hoxha është mbajt një trend-dinamikë e fushëveprimtarisë së MIE”, shtoi Nezaj.

Ai shtoi se kjo fushëveprimtari është shtrirë edhe jashtë Bashkimit Evropian.

Dëshmitari Nezaj tha se për marrëveshjen me operatorin “Madison Global”, nuk e di se sa kohë pas nënshkrimit të saj është kërkuar ndërprerja e aktiviteteve.

Sipas tij, ky suspendim me arsyetimin se kanë një situatë të re politike dhe mundësinë që këto aktivitete të rifillojnë me pëlqimin e qeverisë së re.

Po ashtu, ai tha se nuk është në dijeni nëse ky operator ekonomik ka iniciuar padi apo procedurë të arbitrazhit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 16 shtator 2022.