Ilustrim

Dyshohet se mashtruan 242 qytetarë me bileta fiktive, ngritet aktakuzë kundër katër personave

Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër katër të dyshuarve për rastin e mashtrimit me bileta nga agjencia “Prishtina Jet”.

Sipas Prokurorisë, M. K., A. B., S. Z. dhe N. H. po akuzohen për veprat penale mashtrimi ndërkaq M.K.,  ngarkohet edhe për veprën shmangie nga tatimi.

Të lartcekurit akuzohen se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes agjencisë “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë sesa çmimi aktual.

Prokuroria më tej pretendon se këto fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në aeroporte.

Në aktakuzë më tej thuhet se S. Z. dhe N. H., përmes një marrëveshjeje të nënshkruar me M. K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë.

“Mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M. K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N. H.”- thuhet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF.

Ndërkaq, i pandehuri M. K., sipas Prokurorisë nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve.

Prokuroria thotë se pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek ATK-ja.

Sipas aktakuzës me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF, 4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF si dhe si dhe të pandehurit të urdhërohen për kompensimin e dëmit të shkaktuar të dëmtuarve.