foto: Ilustrim

Dy të arrestuar se mashtruan me rregullim të vizave e morën kredi në emër të qytetarëve

Dy persona janë arrestuar nga policia për mashtrim të disa qytetarëve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, Zëdhënësja e Policisë pë Rajonin e Prishtinës, Florije Ahmeti-Haziraj e cila ka thënë se gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, pas një pune hetimore në një operacion të gjerë janë arrestuar dy persona nën dyshimin për mashtrim.

A.E. 24 vjeç dhe K. G. 25 vjeç, dyshohet se kanë marrë nga disa qytetarë kopje dokumentesh me të dhënat personale , duke u premtuar atyre, se do t’ua  rregullojnë vizat e punës  për vende të Bashkimit Evropian, dhe të njëjtit me të dhënat e tyre ka aplikuar për kredi online, duke përfituar kështu shuma të ndryshme të parave.

“Mbështetur në rezultate e para të hetimit është ngritur dyshimi i arsyeshëm se ky mashtrim ka ndodhur në vazhdimësi, për një periudhë  të gjatë kohore dhe dyshohet se numri i personave të mashtruar nga ta arrin mbi 20 qytetarë të ndryshëm”, tha Ahmeti- Haziraj.

Tutje ajo shtoi se policia ka kërkuar që qytetarët që kanë qenë pre e këtyre personave, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor, për ta mundësuar dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të këtyre personave.

“Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale, para se rasti të dërgohet në institucionet kompetente”, tha ajo.