Qendra Korrektuese e Lipjanit - Foto: KALLXO.com

Dy të akuzuar dënohen me burg për tentim-vrasjen në burg të Lipjanit

Gjykata e Prishtinës dënoi Valmir Ademin dhe Lum Lekën me nga 1 vit burgim nën akuzën për tentim-vrasje ndaj të miturit A.M.

Ademi dhe Leka akuzohen se më 19 maj 2018, rreth orës 18:10, në Qendrën Korrektuese për të mitur në Lipjan, kanë tentuar ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.M.

Sipas prokurorisë, derisa i dëmtuari kishte dalë për të shëtitur në oborrin e pavijonit të burgut, Valmir Ademi dhe Lum Leka e kishin sulmuar duke e goditur me mjete te mprehta të punuara nga metali.

Të akuzuarit e kishin goditur në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar lëndime trupore përfshirë një plagë prerëse në regjionin tëmëblor të pasmë të kokës, 3 plage prerëse në regjionin e pasmë të gjoksit dhe dy plagë në regjionin e krahut te djathtë.

Motivi i kësaj tentim-vrasje, sipas aktakuzës, ishte mosmarrëveshja rreth një borxhi.

Më 22.10.2019, në shqyrtimin fillestar në gjykatë, të akuzuarit e kishin pranuar fajësinë.

Gjykatësi Lutfi Shala tha se si rrethana lehtësuese mori pranimin e fajësisë dhe moshën e të akuzuarve.