Foto: KALLXO.com

Dy policë dëshmojnë në gjykimin e të akuzuarit për 3 vrasje më 2004

Në gjykimin e Heset Salihajt, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për vrasjen e Borko dhe Dobrivoje Stoliqit, më 2004, kanë dëshmuar dy zyrtarë policorë.

Eksperti i balistikës, Çlirim Hajdini, rrëfeu në gjykatore se detyrë e tij ka qenë të kontrollonte armët se a janë funksionale dhe të bënte krahasimet me gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.

“Detyra ime ishte që të kontrolloja armët se a janë funksionale. Unë armët i kam marrë nga evidenca dhe kam filluar ekzaminimin e tyre, i kam fotografuar dhe i kam përgatitur për gjuajtje testuese. Aty kanë qenë tri armë por njëra nga to nuk ka funksionuar”, tha Hajdini.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, se a e ka kontrolluar se sa gëzhoja  përputhen me librarinë e rasteve të hapura, dëshmitari u përgjigj me po.

“Po, unë e kam konstatuar se 20 gëzhoja tek rastet e librarisë së hapur janë gjuajtur nga arma AK 47, e prodhimit jugosllav”, shtoi ai.

Tutje dëshmitari tregoi se nga raporti i kolegut të tij, Bedri Kunsan, janë 73 gëzhoja të gjuajtura nga armët e ndryshme.

Këto gëzhoja sipas raportit kanë qenë të ndara në 6 grupe.

Dëshmitari tha se asnjëra nga këto grupe të gëzhojave nuk janë përshtatur me dy armët e cekura përveç grupit B, respektivisht 20 gëzhojave të cilët janë përputhur me testet e armës AK 47.

Ndërsa avokati i të pandehurit Heset Salihu, Arianit Koci, e pyeti dëshmitarin për metodologjinë e punës në vitin 2004 dhe me atë që është tani, se cila ishte më profesionale.

Dëshmitari u përgjigj shkurt: Çdo risi është më e mirë.

Më pas, në këtë seancë ka dëshmuar edhe Besim Arifi, zyrtar policor, i cili në rastin konkret kishte dalë në vendin e ngjarjes.

Ai tregoi se kishte shkuar në vendin e ngjarjes, në Drajkoc të komunës së Shtërpcës, dhe se aty ka pasur policë me uniforma dhe policë civilë.

“Kemi filluar me vëzhgim të vendit të ngjarjes, por vendi i ngjarjes nuk ka qenë i siguruar siç e kërkojnë rregullat”, u shpreh dëshmitari. Po ashtu, ai tha se vendi i ngjarjes ishte i ‘demoluar’.

Vëzhgimin e kemi kryer jashtë shtëpisë e jo brenda pasi që policët e Shtërpcës na kanë thënë se dera është e mbyllur dhe nuk kemi çelës për të hapur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Heset Salihaj në bashkëkryerje me persona të panjohur, i shtyrë nga motivet nacionale, me dashje i ka privuar nga jeta Borko dhe Dobrivoje Stoliqin, në atë mënyrë që më 17.3.2004, rreth orëve të vona të pasdites, derisa tani të ndjerit gjendeshin para shtëpisë së tyre, në fshatin Drajkovc, i njëjti bashkë me persona të tjerë të panjohur ka shtënë në drejtim të tyre me armën e tij AK-47.

Nga katër plagët e marra në pjesë vitale të trupit Dobrivoje Stoliq ka mbetur i vdekur në vend.

Ndërsa Borko Stoliq nga dy lëndimet e marra, një në abdomen dhe një në kofshë të djathtë, ka vdekur rrugës për në sptial.

Ndërsa menjëherë në vendin e ngjarjes kishin shkuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës: Dragan Ivanoviq, Srgjan Mladenoviq, Zhivorad Samarxhiq dhe Srgjan Gjurinca, me qëllim të sigurimit të vendit të ngjarjes.

Sipas aktakuzës, i pandehuri bashkë me të tjerët duke ikur nga vendi i ngjarjes ka shtënë disa herë në drejtim të tyre por nuk janë qëlluar dhe duke hapur zjarr në drejtim të tyre kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes.

Me këtë sipas Prokurorisë Salihaj ka kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Tutje aktakuza e Prokurorisë thekson se për motive të panjohura dhe me dashje i akuzuari Heset Salihaj e ka vrarë edhe Nezir Sherifin, më 21.10.2004, rreth orës 1:30, në rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj derisa i ndjeri ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij.

I akuzuari, sipas aktakuzës, me armë ka shtënë disa herë në drejtim të viktimës, i cili nga lëndimet e marra vdes në vendin e ngjarjes. I pandehuri ik nga vendi i ngjarjes, mirëpo në vend të ngjarjes i mbetet kuleta me dokumente personale. Prandaj, ai akuzohet për vrasje.