Foto: KALLXO.com

Dy dëshmitarë të rinj dëshmuan në gjykimin e ish-drejtorit të Komunës së Ferizajt

Dy dëshmitarë janë dëgjuar sot në gjykimin e ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit të Komunës së Ferizajt, Faik Graincës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bashkë me Graincën po gjykohen edhe Izer Ramadani dhe Arben Kurteshi, të akuzuar për falsifikim dokumenti.

Dëshmitari Ibrahim Musliu tregoi se gjatë vitit 2017 ka punuar në Komunën e Ferizajt si udhëheqës i sektorit për Mirëqenie Sociale e më pas ka qenë koordinator për Mirëqenie Sociale.

“Gjatë punës sime kam qenë i informuar se ka ankesa të qytetarëve”, tha dëshmitari, por i pyetur nga prokurori, ai tha se ka nënshkruar raportin e punës së tij, i cili i është përcjellë Kuvendit Komunal.

“Kjo më kujtohet dhe nuk më kujtohet se a kam nënshkruar diçka tjetër e cila ka pasur të bëjë me ankesa të qytetarëve”, u përgjigj dëshmitari në pyetjet e të dëmtuarit, Imri Haliti, se a e kishte thirrur Skender Baftiu dhe se a i ka thënë ta nënshkruante raportin “se vetëm ti ke mbet pa nënshkru”

Dëshmitari tha se kjo është e vërtetë.

I pyetur po ashtu nga i dëmtuari se a e keni ditur se ajo që ka nënshkruar nuk ka qenë raporti por ka qenë shqyrtimi i ankesave dhe peticioneve, dëshmitari tha se nuk e ka ditur. “Kam mendu se është raporti përfundimtar i punës”, theksoi ai.

I pyetur nga i dëmtuari nëse i kujtohej se ai i kishte dërguar një letër informuese si palë e dëmtuar, dëshmitari tha se i kujtohet për letrën, por nuk i kujtohet se çfarë ka shkruar në të.

Seanca gjyqësore ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit tjetër, Arben Ramadanit.

I pyetur nga prokurori Burim Qerkini se a është në këtë sallë ndonjë person që ka biseduar me të lidhur me ndërtimet e larta, dëshmitari përgjigjet se jo.

Prokurori e ballafaqoi me një procesverbal dhe e pyeti se a është nënshkrimi i tij në të e dëshmitari deklaroi se nuk është nënshkrimi i tij. “Këtë letër nuk e kam parë kurrë më përpara, por ka mundur të ketë nënshkruar ndonjë familjar i imi, sepse vetëm ata i kanë të dhënat e mia, si numrin personal…”.

Avokati i palës së dëmtuar Kushtrim Palushi e pyeti dëshmitarin Ramadani për disa emra të cilët nënshkruan procesverbalin e njëjtë dhe dëshmitari u përgjigj se nuk i njeh.

I pyetur nga i dëmtuari, Imri Haliti, se a është në dijeni se duke u përdorur nënshkrimi i juaj na janë dëmtuar pronat tona, Arben Ramadani tha se ai nuk ka nënshkruar.

Faik Grainca: Do të Vërtetohet Pafajësia Ime

Avokati i palës së dëmtuar propozoi të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë, Faruk Lipovica dhe Fidan Imeri.

Trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Sahit Krasniqi dhe anëtarët Ibrahim Idrizi dhe Imri Sejda, e aprovoi propozimin e palës së dëmtuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Ferizajt, Faik Grainca në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Ferizaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkelur seriozisht të drejtat e personave të tjerë.

Grainca sipas Prokurorisë nuk i ka verifikuar nënshkrimet në peticionin e qytetarëve të cilat kanë rezultuar të jenë të falsifikuara edhe pse i pandehuri më parë ka qenë në dijeni se nënshkrimet në peticion janë të falsifikuara dhe si pasojë është lejuar që rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Faik Grainca në Gjykatë për Keqpërdorim Detyre

Më tej në aktakuzë thuhet se si rezultat i peticionit të falsifikuar Kuvendi Komunal ka aprovuar planin urbanistik.

Prokuroria akuzon edhe Izer Ramadanin dhe Arben Kurtishin se kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera me qëllim që të njëjtat nënshkrime në peticion t’i përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8 rruga ‘’Astrit Bytyqi’’ kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv edhe pse banorët e kësaj lagjeje kanë qenë për banim individual.