Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Droga me prejardhje nga Iraku, drejt fundit gjykimi ndaj të akuzuarve

Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, të akuzuar për 113 kg drogë kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare para trupit gjykues në Gjykatën e Prishtinës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhemail Shala kërkoi nga gjykata lirimin e të pandehurit pasi që prokuroria sipas tij nuk ka arritur të argumentohet asnjë pretendim të vetëm. Mbrojtësi gjithashtu kërkoi nga gjykata që Shala të lirohet nga aktakuza duke marrë për bazë këto rrethana.

Kërkesë të njëjtë kishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Shala. I njëjti gjithashtu kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga aktakuza pasi që sipas tij nuk është vërtetuar për asnjë moment nga ana e prokurorisë se ai ka kryer veprat penale që i vihen në barrë

Kurse mbrojtja e të akuzuarit Iskender Sale, i porpozoi gjykatës që gjatë vendosjes së kësaj lënde të merr për bazë rrethanat lehtësuese, tutje mbrojtja e Sale kërkoi që këtij të fundit t`i ndërprehet masa e paraburgimit.

Përfundimisht gjykata në lidhje me këtë rast pritet të vendos më datë 27 shtator të këtij viti.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, Xhemail Shala, Sadik Shala dhe Iskender Sale, po akuzohen se duke vepruar si grup kriminal i organizuar dhe i strukturuar së bashku me persona tjerë që gjendeshin në territorin e disa shteteve si: Irani, Shqipëria e Kosova, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë shitur dhe transportuar 113 kg substancë narkotike të llojit heroinë.

Drogën fillimisht e kanë blerë në Irak dhe pastaj kanë arritur që me maune të mbushura me pllaka të mermerit t’i transportojnë për në Shqipëri dhe Kosovë.

Xhemail Shala dhe Iskender Sale akuzohen edhe për veprën penale – legalizim i përmbajtjes së rreme, kjo për arsye se pasi të njëjtëve u janë publikuar emrat e tyre si të dyshuar për trafikim me narkotikë, dhe se kanë paraqitur fakte të rreme në qendrat e regjistrimit në Prishtinë e Obiliq, me qëllim të ndërrimit të identitetit të tyre.

Ndërsa, Alban Gashi akuzohet nga Prokuroria se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror u ka ndihmuar të akuzuarve të lartcekur në shmangien, zbulimin dhe arrestimin e tyre, duke u bërë të mundur pajisjen me dokumente të rreme të identifikimit dhe me këtë ka kryer veprat penale – dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprës penale dhe -falsifikim i dokumentit.

Kurse Labinot Zenelaj akuzohet për veprën penale  – mashtrim, kjo ngase sipas prokurorisë me paraqitjen e fakteve të rreme e ka mashtruar drejtorinë e auto-sallonit “Alberti”, kur e ka kuptuar se kishte vdekur një anëtar i këtij grupi, dhe ai kishte përfituar një veturë nga ai në atë mënyrë që kishte kërkuar çelësat e kësaj veture nga pronari i auto-sallonit që ia kishte shitur të njëjtën tani të ndjerit.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast