Drita Hajdari flet pas dënimit të parë për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Zoran Vukotiq është shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës dhe është dënuar me 10 vite burgim për krime lufte  kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kjo është aktakuza dhe rasti i parë i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i ngritur nga prokurorët vendorë dhe i gjykuar nga gjykatësit vendorë që përfundon me aktgjykim dënues, në shkallë të parë, pasi që kujtojmë se i akuzuari ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Zoran Vukotiq akuzohet se në cilësinë e pjesëtarit të Policisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë gjatë luftës në Kosovë e kishte dhunuar një grua.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Zoran Vukotiq, më 22 maj 1999 gjatë luftës në Kosovë, në cilësinë e pjesëtarit rezervë të Policisë serbe bashkërisht me disa pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake policore dhe paramilitarëve serbë ka qenë prezent te varrezat e qytetit të Vushtrrisë, me ç ‘rast i kanë mbledhur popullatën civile te varrezat dhe ndaj të njëjtëve më pas kanë ushtruar dhunë.

Në aktakuzë përshkruhet se pasi që i kishin detyruar civilët që të uleshin, Zoran Vukotiq e kishte marrë një shkop nga një civil i cili e përdorte shkopin për t’u mbështetur në të dhe me atë shkop kishte filluar që t’i godasë në trup dhe në pjesë të ndryshme të trupit civilët të cilët kanë qenë të ulur në tokë.

Aktakuza e Prokurorisë sqaron se pjesëtarët e forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe i kishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e turmës, pleqve, grave dhe fëmijëve.

Në aktakuzë thuhet se burrat i kishin dërguar në burgun e Smrekonicës ndërsa popullatën e mbetur e kishin detyruar që të rreshtoheshin para një shtëpie që ndodhej aty.

Sipas Prokrurorisë më pas Vukotiq e kishte tërhequr me forcë viktimën grua dhe e kishte dërguar në një kat të shtëpisë, ku në prezencën edhe të disa grave të tjera me ndihmën edhe të një personi tjetër, e kishte dhunuar viktimën.

Lidhur me këtë rast, Prokurorja speciale Drita Hajdari tha se vepra penale është kryer në mënyrë tejet mizore, poshtëruese  dhe që karakterizohet në një prej veprave penale më të rënda të mundshme që mund të përjetojë ndonjë qenie njerëzore. Ndërsa sa i përket lartësisë së dënimit, ajo deklaroi se në momentin që do ta pranojë aktgjykimin në formë të shkruar do ta analizojë dhe do të shohë hapat e mëtejme që mund të ndërmarrë lidhur me rastin.

Gjatë zhvillimit të procedurës në Gjykatë, Vukotiq nuk e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të dhunës seksuale.

Zoran Vukotiq momentalisht është në vuajte të dënimit edhe për një vepër tjetër të krimeve të luftës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një statusi në Facebook kishte njoftuar se për herë të parë Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me burg një të akuzuar për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Sot, për herë të parë, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me 10 vite burgim kriminelin, Zoran Vukotiq për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar ministrja Haxhiu në Facebook.

Ajo shtoi se ky është lajm shumë i mirë për viktimat, por edhe historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ky është një lajm shumë i mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”, potencoi Haxhiu.