Drenas - Zyrtari gjykohet për keqpërdorimin e qirasë së lokaleve të komunës

Në gjykimin e zyrtarit të Komunës së Drenasit, Xhemë Binaku, gjatë fjalës përfundimtare, prokurori i rastit Arian Gashi kërkoi nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“I akuzuari, Xhemë Binaku ka kryer veprën penale me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, ashtu sikur edhe është përshkruar në dispozitivin e aktakuzës së lartpërmendur, kjo përveç provave materiale të administruara nga kjo gjykatë, është vërtetuar edhe nga dëshmitë e dëshmitareve të cilët janë proceduar”, tha prokurori Gashi.

Sipas tij “Nga dëshmitë e lexuara të dëshmitarëve të cilët gjatë hetimeve janë proceduar me theks të veçantë nga dëshmia e të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit Bardhyl Geci dhe Sokol Avdisë. Ku i pari ka theksuar se vazhdimisht kishte dërguar të holla te i akuzuari Xhemë Binaku në emër te qirasë në lokalin F8 dhe kjo e njëjta është vërtetuar edhe nga dëshmitari Sokol Avdia. I akuzuari në çdo fazë e ka mohuar veprën penale që i vihet në barrë me qwllim të mbrojtjes së tij në drejtim të ikjes së përgjegjësisë penale për veprën penale për të cilin ngarkohet duke marrë parasysh dënimin e paraparë për këtë vepër penale” tha ai në fjalën e tij përfundimtare.

Ndërsa mbrojtësi i Xhemë Binakut, avokati Halim Kuliqi në fjalën përfundimtare ndër tjerash deklaroi se “Klienti im, Xhemë Binaku nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet me aktakuzë. Gjithashtu nuk janë provuar faktet dhe provat për të cilat organi i akuzës pretendon se janë të rëndësishme dhe të bazuara. Këtë e argumentoj me faktin se janë dëgjuar tre dëshmitarë, është dëgjuar i dëmtuari në cilësi të dëshmitarit dhe i akuzuari në mbrojtje të tij. Deklarata e dëshmitarit Pajazit Hamza vërteton se dëshmia ose deklarata e Bardhyl Gecit nuk qëndron pasi që ai thekson se kam folur dhe jemi marrë vesh me Xhemë Binakun që të ja hapi lokalin F8 të dëmtuarit Bardhyl Geci, mirëpo këtë e mohon Pajazit Hamza”.

Ai më tutje tregoi kundërthëniet e dëshmive të dëshmitareve dhe të dëmtuarit duke pretenduar se dëshmia e të dëmtuarit nuk duhet të merret parasysh dhe propozoi Gjykatën të merr aktgjykim lirues duke liruar nga akuzat Xhemë Binakun.

Ndërsa vet i akuzuari Xhemë Binaku tha se kishte harruar të tregonte më parë se babai i Bardhylit e kishte thirrë në telefon dhe i kishte thënë se “djalit tim nuk i besoj”. Për mua kjo akuzë ka qenë një katastrofë tha ai duke treguar pozitat që ai ka ushtruar në Komunën e Drenasit.

Prokuroria i vë në barrë Binakut se në cilësinë e personit zyrtar në Komunën e Drenasit në mënyrë të kundërligjshme e ka keqpërdorur detyrën e tij pasi që nga viti 2008 e deri në vitin 2012 ka kërkuar dhe pranuar para të qirasë nga i dëmtuari Bardhyl Geci për një lokal të komunës në Qendrën Tregtare të Drenasit.

Sipas prokurorisë, i akuzuari çdo muaj në emër të qirasë ka pranuar shumën prej 300 euro nga i dëmtuari, ndërsa këto pagesa nuk i ka evidentuar dhe paguar komunës.

Prokuroria pretendon se shuma totale që ka pranuar Binaku është 10,800 euro.

Seanca e ardhshme në të cilën do të bëhet shpallja e vendimit të trupit gjykues është caktuar të mbahet me datë 14 Gusht.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë lidhur më këtë.

Gjykimi për keqpërdorim me qiratë e lokaleve ndaj zyrtarit të komunës së Drenasit

Zyrtari i Drenasit Kundërshton Aktakuzën e Korrupsionit

.