Drejtori i liruar nga akuza për trafikim kërkon kompensimin e rrogave

Drejtori i zyrës regjionale të punësimit në Gjakovë, Kujtim Dula, po kërkon kompensimin e të ardhurave personale për kohën sa ishte i suspenduar nga puna.

Kujtim Dula kërkon kompensim dëmi pasi për dy vite ishte suspenduar nga puna, për shkak të ngritjes së aktakuzës ndaj tij për veprën penale të trafikimit me njerëz.

Ai në padinë e tij ndaj Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, kërkon 50% të pagesës së të ardhurave personale.

Këtë kompensim ai e kërkon prej 1 gushtit të vitit 2012 e deri në tetor të vitit 2014.

Në seancën e sotme, avokati i tij Prenk Pepaj, i propozoi gjykatës që lidhur me lartësinë e të ardhurave të papaguara të bëhet ekspertizë financiare, e më pastaj të bëhet precizimi i lartësisë së kërkesëpadisë.

Ndërsa gjyqtari Besnik Bislimaj, ndonëse në mungesë të përfaqësuesit të Ministrisë e aprovoi këtë propozim dhe caktoi Kujtim Qelën si ekspert financiar.

Arsyeja e padisë, është se Dula ishte suspenduar nga puna me 50% të pagesës së të ardhurave personale, për shkak të ngritjes së aktakuzës si i dyshuar për shkak të veprës penale trafikimi me njerëz.

Dula kërkon kompensimin e të ardhurave dhe pretendon se padrejtësisht është suspenduar nga puna, pasi që me aktgjykim të gjykatës së Apelit në vitin 2016 ishte liruar nga aktakuza e Prokurorisë.

Sipas padisë, paditësi Kujtim Dula është në marrëdhqnie pune që nga gushti i vitit 2008, e më pas në vitet 2012-2014 ishte i suspenduar nga puna me 50% të pagesës.

Në padi thuhet se paditësi Kujtim Dula nëpërmjet emaileve ka komunikuar me zyrtaret e Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe e njëjta nuk ia kishte kontestuar këtë të drejtë.