Prizreni. Foto: KALLXO.com

Drejtori i Haskukës akuzohet për kohën kur shef e kishte Ramadan Mujën

Gjatë ditës së sotme Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për dy persona për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com merr vesh se kjo aktakuzë është ngritur ndaj Ertan Simitçi, i cili aktualisht është drejtor i Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit, që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka.

Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit  ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media.

Aktakuzë ndaj drejtorit dhe u.d. drejtorit për Ekonomi dhe Financa në Prizren

Sipas biografisë të publikuar në webfaqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtor i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.

Nga data 16 janar 2018 ai është emëruar për herë të dytë në pozitën e drejtorit.

Kurse për personin tjetër KALLXO.com merr vesh se është Zenel Ahmetaj, zyrtar financiar në Drejtorinë e Financave.

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Zenel Ahmetajt për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, i cili atë kohë mbante postin e  Ud. Drejtor në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit.