Dosja që rëndon ndaj të akuzuarës për vrasjen e motrës në Vragoli të Fushë Kosovës

F. S. e akuzuar për vrasjen e motrës së saj në vitin 2021 në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës është ulur sot sërish në bankën e të akuzuarës.

Në këtë seancë mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Halit Shaljani ka propozuar gjykatës prova të reja për t’u administruar nga gjykata.

Ndër provat të cilat i propozoi avokati Shaljani ishin raportet mjekësore të të akuzuarës të cilat u aprovuan nga trupi gjykues.

Tutje, trupi gjykues e administroi edhe dorëshkrimin e tani të ndjerës T. S.

Përveç kësaj Shaljani i propozoi gjykatës që në konsultim me ekspertët e fushës të bëhet zhvarrosja e viktimës në mënyrë që të kërkohen gjurmë të AND-së.

Këtë propozim prokurori i rastit Ilaz Beqiri e kundërshtoi duke thënë se nuk kupton pse po kërkohen gjurmë nga një person që ka vdekur qe më shumë se një vit.

Trupi gjykues me aktvendim e aprovoi propozimin e Shaljanit në atë mënyrë që të konsultohen ekspertët nëse gjurmët e njëjta janë siguruar ose në të ardhmen mund të sigurohen në ndonjë formë tjetër me qëllim që të konstatohet nëse këto gjurmë kanë mbetur në trupin e të ndjerës.

Prokuroria e Prishtinës në vitin 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F. S. për vrasjen e motrës T. S., të cilën anëtarët e tjerë të familjes e kanë gjetur të shtrirë në krevat pa shenja jete, me shall të lidhur në fyt.

Sipas ekspertizës mjekoligjore, të ndjerës i janë gjetur edhe shenja të gishtërinjve në fyt.

Sipas Prokurorisë F. S., pas kryerjes së veprës ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Lidhur me këtë rast janë mbajtur seancat gjyqësore dhe ka vazhduar deri në shpalljen e vendimit.

Shpallja nuk është arritur të bëhet për shkak se trupi gjykues vendosi që të rihap procesin gjyqësor në mënyrë që të shqyrtohen më shumë prova.