Gjykata e Gjakovës

Dosja për veteranin e rrejshëm të UÇK-së

Rasti i Pal Rrustemit, i akuzuar për deklarim të rremë ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht që brenda 2 viteve të mos kryej vepër tjetër penale dhe falsifikim të dokumenteve për marrje të pensionit të veteranit ishte dënuar me 1000 euro gjobë.

Përveç kësaj, gjykatësi i rastit Drilon Haraçia ia kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, duke e obliguar që Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale t`ia kompensojë dëmin në shumë prej 4,950, që e ka përfituar në emër të pensionit të veteranit.

Poashtu, të njëjtit i është ndërprerë pensioni i veteranit dhe i është konfiskuar certifikata e veteranit.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga KALLXO.com thuhet se i akuzuari Pal Rrustemi me dashje ka kryer veprat penale për të cilat e akuzon Prokuroria.

Në aktgjykim, gjykata ka marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit, ndërsa rrethana rënduese nuk ka gjetur.

Si rrethanë lehtësuese gjykata ka vlerësuar qëndrimin korrekt të të akuzuarit, pendimin e tij, kërkim faljen publike, pranimin e fajësisë si dhe faktin se i njëjti nuk ka qenë i dënuar asnjëherë më parë.

Me shqiptimin e këtij dënimi, gjykata ka vlerësuar se dënimi i shqiptuar do të arrijë efektin dhe qëllimin e tij.

Pal Rrustemi, kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurorja Mone Syla, thuhet se në prill të vitit 2016 përpilon dokument të falsifikuar si origjinal, në atë mënyrë që në cilësinë e aplikuesit për veteran e me qëllim të perfitimit të statusit për luftëtar, ka dorëzuar aplikacion me të dhëna të falsifikuara.

Në aktakuzë thuhet se në Komisionin Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit invalidit/veteranit apo pjesëtarit të UÇK-së, dorëzon aplikacion me të dhëna të falsifikuara se kinse ka qenë i regjistruar si ushtar aktiv i armatosur dhe uniformuar nga shtabi i zonës operative të UÇK-së nga fillimi deri në përfundim të luftës së fundit në Kosovë.

Aktakuza shpjegon se pas dy vitesh në muajin shtator të vitit 2018, i akuzuari në procedurë administrative paraqet deklarim të rremë për marrjen e vendimit me qëllim të marrjes së pensioneve dhe beneficioneve të familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe kategorive të tjera.

Në aktakuzë thuhet se pas këtyre veprimeve, i njëjti kishte arritur të marrë shumën mujore prej 170 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.