Dosja për doganierin e akuzuar për ryshfet

Në mungesë të prokurorit, ka dështuar të filloj procesi gjyqësor ndaj zyrtarit doganor Veton Turjaka, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.

Ndërsa Shefqet Gusturanaj po akuzohet për vepër penale dhënie e ryshfetit.

Gjyqtari i rastit, Sami Sharraxhiu, tha se prokurori Haxhi Sinanaj përmes shkresës e ka njoftuar gjykatën se nga data 1 deri me 6 nëntor gjendet në Zvicër për arsye familjare, andaj në këto rrethana nuk mundet te jetë i pranishëm sot në seancë.

Prezent nuk ishte as i akuzuari Shefqet Gusturanaj, për të cilin gjykatësi tha se nuk e ka pranuar ftesën e as aktakuzën, ku në fletëkthese është konstatuar ‘pala nuk është në shtëpi, gjendet jashtë shtetit’.

Seanca e radhës u caktuar me 6 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës Veton Turjaka më 8 mars të vitit 2020 në pikën kufitarë në Kullë, si person zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, ashtu që kur është paraqitur i pandehuri Shefqet Gusturanaj me veturë dhe me rimorkioi të ngarkuar me gjësende të ndryshme, zyrtari doganor nuk ka ndërmarr veprimet që malli t’i nënshtrohet procedurave të kontrollit doganor.

Dosja e prokurorisë thotë se i pandehuri Gusturanaj ka përfituar duke mos paguar tatimet reale duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në shumë prej 225 euro.

Prokuroria e Pejës thotë se zyrtari doganor për këto veprime ka kërkuar dhe ka marrë nga Shefqet Gusturanaj shumën prej 50 euro.

Ndërsa Shefqet Gusturanaj po akuzohet se i ka dhënë Turjakes shumën prej 50 euro me qellim që ky i fundit mos të veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare.