Dosja ndaj të dyshuarit për dhunimin seksual të një vajze të mitur në Suharekë

Gjykata e Prizrenit ka caktuar një muaj paraburgim për Xh. B., i arrestuar nën dyshimin se ka dhunuar seksualisht një vajzë të mitur.

Rasti i dhunimit të të miturës po dyshohet se ka ndodhur në Suharekë në nëntor të vitit të kaluar. Të dyshuarit gjykata sot i ka caktuar 30 ditë paraburgim.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21 mars 2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 20 prill 2023.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri Xh. B., gjatë muajit Nëntor/Dhjetor të vitit 2022, në Komunën e Suharekës, me dashje e detyron viktimën nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet për të kryer aktin seksual, për të cilin e di se është i ndjeshëm për shkak të moshës.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku potencial që i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Më tej thuhet se Gjykata ka ardhur në përfundim se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, pasi që i dëmtuari është nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjeçare, dhe i pandehuri dyshohet se duke e ka kryer veprën penale të dhunimit, nga këto rrethana dhe pesha e veprës penale, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.