Dosja ndaj të akuzuarve për 400 kg kokainë - dështon seanca gjyqësore

Ka dështuar të mbahet seanca e sotme, më 10.01.2025, ndaj të akuzuarve: Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi.

Izet Sheqiri, Kadri Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyçi nga Prokuroria po akuzohen se përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me një kompani “SEARA”, për importin e produkteve të mishit të pulës së ngrirë, por sipas Prokurorisë në to ishin vendosur substanca narkotike.

Arsyeja pse ka dështuar të mbahet kjo seancë është për shkak se nuk pati kushte, pasi që ka munguar i akuzuari Kadri Sheqiri.

Avokati i tij Xhafer Maliqi bëri të ditur se me klientin e tij kishte biseduar dhe i njëjti e kishte njoftuar se ndodhet në Shqipëri, ndërsa sot kishte tentuar disa herë por nuk kishte pasur qasje.

Shqyrtimi gjyqësor i radhës pritet të mbahet më 16.01.2025.

Kryetari i Trupit Gjykues, Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se për të akuzuarin Kadri Sheqiri kjo Gjykatë do të lëshojë urdhërarrest për shoqërim për këtë datë.

Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga Trupi Gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Ngadhnjim Arrni (kryetar i Trupit Gjykues) dhe dy anëtarët, Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri.

Ndërsa, aktakuza po përfaqësohet nga prokurori special Valdet Gashi.

Pesë të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale të cilat po u vihen në barrë nga Prokuroria, ndërsa i akuzuari Izet Sheqiri kishte thënë se ndihet fajtor vetëm për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit përmes bashkëpunimit me persona nga shteti i Brazilit duke shfrytëzuar kompaninë “MC Food” kanë lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA”, për importimin e produkteve të pulës së ngrirë dhe në brendi të pakove është vendosur substancë narkotike.

Kjo substancë e llojit kokainë u gjet më 17.05.2021, në sasi prej 400 kilogramësh.

Aktakuza ndaj të akuzuarve është ngritur më 14.11.2022.

Emisioni “Kallxo Përnime” ka transmetuar pamje ekskluzive të aksionit të Policisë, me rastin e sekuestrimit të kësaj sasie të drogës.