Dosja e vrasjes së dy vëllezërve në Plloqicë të Malishevës

Në nëntor të 2019-tës, gjykata e Gjakovës e kishte liruar Besim Malokun nga akuza për vrasjen e dy kushërinjve të tij.

Bahri e Shani Maloku, në oborrin e tyre ishin vrarë në mesnatën e 9 marsit 2018, në rrethana të paqarta.

Pak kohë më pas për vrasjen e pjesëtarit të FSK-së Shani Maloku dhe vëllait të tij Shani Maloku ishin arrestuar dy kushërinjtë e tyre, Besim dhe Blerim Maloku.

Besimi nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Blerimi vetëm për armëmbajtje pa leje.

Ndonëse Besim Maloku ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën e vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari Blerim Maloku e kishte pranuar fajësinë armëmbajtje pa leje.

Besim Maloku ishte liruar nga akuza e vrasjes dhe ishte dënuar me 20 muaj burg për armëmbajtje pa leje, ndërsa i vëllai Blerim Maloku ishte dëmtuar me 9 muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Në aktgjykimin e siguruar nga kallxo.com, pas më shumë se dy muaj, gjykata në 112 faqe aktgjykim, kishte përshkruar e arsyetuar çdo deklaratë të dëshmitarëve.

Gjykata disave iu kishte falur besimin e disave nuk iu kishte falë, pasi që asnjë nga dëshmitarët nuk kishte arritur ta identifikojë kryesin e veprës penale.

Dëshmitari okular, Uliks Maloku, vëllai i tani viktimave gjatë dëshmisë nuk kishte përmendur që personi më i gjatë që kishte parë atë natë kishte qenë Besim Maloku, por kishte theksuar se personi më i shkurtë iu kishte dukur si Blerim Maloku dhe në bazë të këtyre të dhënave gjykata thotë se nuk është vërtetuar që Besim Maloku ka qenë kryesi i vrasjes.

Gjykata kishte falë besimin edhe deklaratave të grave të të akuzuarve.

Në ekspertizën e ekspertit të balistikës, Ilir Kukaj, thuhej se asnjëra prej gëzhojave dhe predhave që kishin qenë objekt i ekspertimit nuk ishin shkrepur nga dy armët që janë ekspertuar (armët e sekuestruara nga i akuzuari Blerim Maloku) dhe se ky rast është mbajtur në arkivin e rasteve të hapura pasi që, deri më tani nuk është identifikuar armë me të cilën janë shkrepur.

Pas ekspertizës se ekspertit Milazim Tahirukaj për eksploziv dhe grimca të barutit, në gjymtyrë, trup dhe rroba të të akuzuarve nuk ishin gjetur mbetje të qitjes me armë zjarri me prejardhje nga baruti.

Nga dëgjimi i CD-ve, më saktësisht nga përgjimet e të akuzuarve në ndalim policor, gjykata vlerëson se në bazë të bisedës së tyre nuk është vërtetuar inkriminimi i tyre në kryerjen e veprës penale.

Në bazë të raportit të hetuesit Edmond Jakupaj, nga kontrollimi i puseve të ujit (bunarëve) në pronësi të Blerim e Besim Malokut, nuk ishte gjetur asnjë armë, e asgjë e dyshimtë që vërteton se të akuzuar janë implikuar në veprën penale.

As nga listingu apo raporti i telefonave të të akuzuarve nuk ishte vërtetuar se të njëjtit kishin komunikuar mes vete para ose pas vrasjes.

Gjykata e Gjakovës ia kishte falë besimin e ekspertit mjeko-ligjor, Arsim Gërxhaliut, duke theksuar se të dy viktimat ishin qëlluar me predhë të armës së zjarrit në të njëjtën lartësi prej 135 cm.

Ndërsa krimteknika kishte thënë se një gëzhojë prej të dhjetave ishte gjetur jashtë asfaltit të rrugës, e vjetër dhe e shtypur në baltë.

Sipas vlerësimit të gjykatës, dëshmitë e dëshmitarëve janë në kolizion dhe përmes tyre nuk mund të ndërtohet një mozaik që do të paraqiste qartë dhe sigurtë figurën e të akuzuarit si kryes apo pjesëmarrës në këtë vepër penale.

Në këtë rast, pala e dëmtuar  kundër këtij aktgjykimi ka të drejtën e ankesës në gjykatën e Apelit.

Pretendimet e Prokurorisë ishin se dorasit u futën për të vjedhur në shtëpinë e Malokëve, ndërsa pasi u vërejtën ata qëlluan pronarët e shtëpisë gjatë arratisjes.

Tragjedia në familjen Maloku ishte shoqëruar me mjaft reagime publike, pasi njëri nga vëllezërit ishte pjesëtar i FSK-së, ndërsa në varrim morën pjesë krerët e shtetit.

Pretendimet e Prokurorisë

Pas hetimeve për vrasjen Prokuroria ngriti aktakuzë me pretendimet se motivi i vrasjes ishte tentativa për të vjedhur.

Viktimat Bahri dhe Shani Maloku, sipas Prokurorisë në natën kritike po qëndronin në shtëpinë e tyre para se të vriteshin nga plumbat e njërit nga personat që kishin tentuar të kryenin vjedhje në atë shtëpi.

Dy vëllezërit e akuzuar asnjëherë nuk e pranuan fajësinë për vrasjen, ndërsa pranuan se kishin armë pa leje.

Aktakuza shpjegonte se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku plumbat kishin qëlluar në cak dhe dy vëllezërit mbetën të vdekur.

Pas vendimit të Gjykatës, vrasja e vëllezërve Maloku hyn në mesin e dosjeve ku prokuroria e shtetit nuk arriti të zbulojë dorasin e krimit ndërsa personat e arrestuar lirohen të pafajshëm.

Ndryshe shpallja e aktgjykimit ishte bërë nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të tensioneve në mes dy familjeve, tensione këto që ishin vërejtur edhe gjatë procesit gjyqësorë.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me gjykimin për vrasjen e dy vëllezërve Maloku nga fshati Plloqicë i komunës së Gjakovës.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së dy vëllezërve Maloku. LINK