Ilustrim

Dosja e veteranëve të rrejshëm të UÇK-së - E akuzuara Feride Beqiri nuk e kupton aktakuzën

Feride Beqiri është ulur sot në bankën e të akuzuarës për t`u përballur me  aktakuzën e Prokurorisë për prezantimin e dokumenteve të falsifikuara.

Beqiri akuzohet nga Prokuroria e Pejës se ka prezantuar dokumente të falsifikuara para organit kompetent, me qëllim të përfitimit të pagës së statusit të veteranes luftëtare të UÇK-së.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se e akuzuara Feride Beqiri, ka paguar shumën prej 100 eurove një personi të panjohur me qellim të sigurimit të dokumenteve të falsifikuara.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Lumturije Vuçetaj, e akuzuara tha se nuk e ka të qartë aktakuzën.

“Nuk e kam ditë se janë të falsifikuara (dokumentet)”, shtoi ajo.

Në këto rrethana të akuzuarës nga ana e Gjykatës i është caktuar mbrojtësi sipas detyrës zyrtare.

Seanca e radhës është caktuar me 23 Shkurt 2019.