Dosja e re e Karaçevës

Në emisionin e sotëm “Kallxo Përnime” do të transmetohen detaje të reja në lidhje me rastin e Karaçevës.

Arrestime të reja, persona të kërkuar të cilët janë identifikuar pas aksionit të shtatorit të vitit të kaluar janë arrestuar gjatë këtij viti ndërsa prokurorja e rastit do të tregojë për mbarëvajtjen e këtij hetimi dhe ngritjen e aktakuzës.

Cilat janë dyshimet dhe pse pati arrestime për të njëjtin rast para disa javësh?

Sonte do të transmetohen edhe pamje ekskluzive të aksioneve dhe bastisjeve në shtëpitë e disa ish- pronarëve të kazinove në Karaçevë.

Çka u gjet në shtëpitë e tyre dhe për çka po dyshohen ata?

Pse për kryetarin e Gjykatës së Gjilanit dosja e Karaçevës është rast kompleks dhe i ndjeshëm?

Sonte shpalosen detaje të reja për personat e involvuar dhe arrestuar në Karaçevë, vendi i cili konsiderohej i paprekshëm nga organet e rendit në Kosovë.

Kujtojmë se në shtator të vitit të kaluar qindra zyrtarë policorë, hetues të IPK-së, zyrtarë të Doganës së Kosovës e ATK-së, kanë marrë pjesë në aksionin i cili u ndërmor për të mbyllur kazinotë ilegale në fshatin Karaçevë.

Në atë aksion u arrestuan mbi 30 persona, 12 nga ta zyrtarë policorë të cilët dyshoheshin se ishin përfshirë në mundësim të kontrabandës por edhe zhvillimit të lojërave të fatit.

KALLXO.com zbuloi dosjen e Prokurorisë e cila tregonte se njëra kazino e cila funksiononte ilegalisht ishte në pronësi të një zyrtari policor, Ferid Lecit.

Ky i fundit nuk ishte arrestuar në natën kritike kur u zhvillua aksioni ndërsa u dorëzua tek organet e rendit një ditë më pas.

Aksioni i Karaçevës vazhdoi edhe më pas, ku u bastisën lokale të mishit të cilat dyshoheshin se kishin blerë gjedhe të kontrabanduara.

KALLXO.com në vazhdimësi ka përcjellë rastin Karaçeva.

Hetimet për Karaçevën do të transmetohen sonte nga ora 22:15 në RTV Dukagjini dhe live në KALLXO.com