Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Të pandehurit për të vjedhur hynin nëpër shtëpi përmes dritareve

Gjykata e Ferizajt ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë ndaj 4 të dyshuarve për vjedhje të rëndë.

Kështu, Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit prej një muaji ndaj L.G., E.R., dhe N.A.

Ndërsa, për të dyshuarin F.Sh., Gjykata vendosi masën e arrestit shtëpiak.

Vendimi u mor sot me arsyetimin se ekzistojnë arsyet ligjore për paraburgim.

“Rrezikshmëria e veprës dhe mënyra e kryerjes dhe karakteristikat e të pandehurve, pasi që të pandehurit kanë  vepruar si grup i organizuar, si dhe të njëjtit janë të njohur për Policinë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Gjykata e Ferizajt ka vlerësuar se nëse këta të pandehur lihen të lirë, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës, i ikjes, si dhe mund të ndikojnë tek i mituri i cili ishte bashkëpjesëmarrës.

Prokuroria e Ferizajt përshkruan ngjarjen se si të pandehurit L.G., F.Sh. dhe N.A. më 16.1.2020 rreth orës 2:00 pas mesnate në fshatin Balaj të Ferizajt, pas marrëveshjes, me përdorim të forcës kanë hapur një dritare duke e thyer xhamin e shtëpisë së të dëmtuarit B.I., kanë hyrë brenda dhe aty kanë vjedhur një armë gjuetie dhe dy palë mbathje.

Ndërsa L.G., E.R. dhe N.A., më 17 janar 2020, rreth mesnatës, në fshatin Balaj të Ferizajt, pas një marrëveshjeje, kishin marrë me qira një automjet ‘’Citroën” kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe me forcë kanë hapur një dritare të shtëpisë të të dëmtuarit H.B.

Aty, sipas Prokurorisë, kanë vjedhur bizhuteri në vlerë 5.000 euro.

E tutje, sipas Prokurorisë, L.G., E.R., N.A. dhe F.Sh., më 7 janar 2020, rreth mesnatës, në fshatin Balaj, pas një marrëveshjeje dhe me veturën e marrë me qira “Citroën” kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit B.B., përmes një dritareje kanë hyrë dhe kanë vjedhur një televizor në vlerë 1.500 franga.

Ndërsa L.G., E.R. dhe N.A., më 18 janar 2020, rreth orës 17:00 , në fshatin Jezerc, pas marrëveshjes paraprake, kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit S.A., përmes dritares dhe kanë vjedhur një ‘brusalicë’ të markës “Bosch”, në vlerë 30 -40 euro.

Tutje, Prokuroria thekson se L.G., E.N. dhe N.A., më 21 janar 2020, në fshatin Balaj pas një marrëveshjeje paraprake kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit M.Z. përmes dritares dhe kanë vjedhur një makinë për larjen e automjeteve, një aparat të kafes dhe një aparat fotografik të tipit “Canon” dhe një palë këpucë sportive.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit kanë kryer veprën penale – vjedhje e rëndë në bashkëkryerje.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast.

Arrestohet grupi i dyshuar për vjedhje të rënda në Ferizaj

www.kallxo.com