Dosja e prokurorisë: Të dyshuarit i kanë ofruar veturën të dyshuarit kryesor për rrëmbimin e biznesmenit Bedri Rexhepi

Dje janë arrestuar dy të dyshuarit, N.V dhe Xh.V, për zhdukjen e biznesmenit Bedri Rexhepi më shumë se një vit më parë.

Në dosjen e Prokurorisë së Prishtinës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se të dyshuarit N.V. dhe Xh.V., i kishin siguruar mjetin e udhëtimit të dyshuarit J.V., e që sipas prokurorisë është i dyshuari kryesor i implikuar në rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

Dosja e prokurorisë thotë se me këto veprime ekziston dyshimi që ata kanë kryer veprën penale të rrëmbimit.

Në kërkesën e prokurorisë  thuhet se sipas videoincizimeve vetura me pronar të dyshuarën Xh.V., ndërsa autorizimin për veturë e ka pasur i dyshuari N.V.

Kjo veturë është gjetur afër vendit ose lokacionit ku është gjetur vetura e tani të dëmtuarit Rexhepi.

Në seancën që është mbajtur sot ndaj dy të arrestuarve, Xh.V dhe N.V, u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Sipas prokurorisë, paraburgimi është kërkuar sepse ekziston rreziku për pengim të procedurës nga të dyshuarit. Kjo pasi në fazat e mëhershme, të dyshuarit në cilësinë e dëshmitarëve kanë dhënë informacione të gabueshme me qëllim të fshehjes së provave.

Sot në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca dëgjimore e paraburgimit për të dyshuarit.