Dosja e Prokurorisë - Të dyshuarit e grabitën të dëmtuarin dhe e lanë në rrugë

 

Festim Uruqi dhe Avni Tërstena, janë sjellë në Gjykatë nga qendra e paraburgimit në Gjilan për t`u përballur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Ata dyshohen se e kanë kryer veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit, të dyshuarit Avni Tërstena dhe Festim Uruqi, së bashku edhe me një person deri më tani të pa njohur, në Gjilan në rrugën e “Malishevës”, kanë hipur në veturën e tani të dëmtuarit Avni Shefkiu, i cili punon taksi. Tutje sipas kërkesës së Prokurorisë të dyshuarit e kanë urdhëruar shoferin e veturës (të dëmtuarin), që t`i dërgoj në Fshatin Strazhë dhe me të arritur atje, nën kërcënim ia kanë marrë telefonin, kuletën dhe veturën duke e lënë të njëjtin në rrugë.

Në seancën e sotme, që kishte për t`u vendosur lidhur me caktimin e paraburgimit, prokurori Isuf Sadiku tha se mbetet pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit.

“Prokuroria konsideron se të dyshuarit e kanë kryer veprën penale të cilën ua ngarkon Prokuroria, në këtë rast caktimi i paraburgimit është i arsyetuar në shkresat e lëndes dhe dëgjimi i dëshmitarëve. Nëse gjinden të dyshuarit në liri mund të ndikojnë në dëshmitarë dhe mund ta përsërisin veprën penale”, tha Prokurori Sadiku.

Mbrojtësi i të pandehurit Avni Tërstena, Avokati Shefqet Xhelili tha se e kundërshton propozimin e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

“Nuk ekzistojnë arsye ligjore për një masë të tillë. Nuk ekziston asnjë rrezik i ikjes për të pandehurin sepse i njëjti dihet se ku jeton, i dihet adresa e vendbanimit. Po ashtu nuk ka mundësi që klienti im të ndikoj as në dëshmitarë e as në të dëmtuarin. I propozojmë Gjykatës që ndaj tij të shqiptoj një masë tjetër dhe atë të arrestit shtëpiak”, tha avokati Shefqet Xhelili, të cilin e mbështeti i dyshuari Avni Tërstena.

Mbrojtësi i të pandehurit Festim Uruqi, avokati Tefik Dushica gjithashtu tha se klienti i tij nuk e ka kryer atë vepër të cilën ia ngarkon Prokuroria.

“E kundërshtojmë propozimin e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit pasi që konsiderojmë se klienti im nuk e ka kryer veprën të cilën ia ngarkon Prokuroria. Ndër të tjera klienti im është edhe i moshës së re, andaj propozoj që ndaj tij të shqiptohet masa e paraqitjes në Stacionin Policor dhe të refuzohet kërkesa për paraburgim, ngase i njëjti është edhe bashkëpunues me organet kompetente”, tha avokati Dushica, të cilin e mbështeti i dyshuari Uruqi.

Pas përfundimit të seancës kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri kishte marrë vendim duke e refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe duke shqiptuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarve në kohëzgjatje prej 30 ditësh.