Dosja e Prokurorisë Speciale për keqpërdorimet me tenderë në Komunën e Leposaviqit

Ish kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq nuk është paraqitur në gjykatë për shkaqe shëndetësore.

Gjithashtu në shqyrtim gjyqësor nuk ka qenë i pranishëm edhe mbrojtësi i të akuzuarit Boban Millovanoviq, Faruk Korenica.

Dragan Jabllanoviq dhe të tjerët po akuzohen për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Kujtojmë që në aktakuzën e ngritur në shtator të vitit 2021 Prokuroria Speciale po e ngarkon ish-kryetarin e Leposaviqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, gjatë periudhës kohore 2015-2017 të pandehurit kanë marrë pjesë në aktivitete kriminale, duke kryer vepra të rënda penale.

Prokuroria pretendon se Jabllanoviq ishte në krye të këtij grupi kriminal, pas emërtimit të tij në pozitën kryetar i komunës së Leposaviqit ky i fundi ka punësuar të pandehurit Aleksandër Kostiq, Aleksandër Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milanoviq dhe Ivan Kadiq.

Kurse në qershor të 2015 i njëjti sipas prokurorisë në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të pandehurin Haxhi Bejta si drejtor të prokurimit në komunën e Leposaviqit ani pse në komunë kishte zyrtar të certifikuar të prokurimit.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale gjithashtu pretendohet se Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga ‘’Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N.-ING.I” dhe Njazi Musliu nga ‘’Eurometali” përmes bizneseve të tyre me qëllim që të përfitojnë dobi pasurore me vetëdije i kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të komunës së Leposaviqit.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Haxhi Bejta me qëllim që t`i eliminojë operatorët e tjerë ekonomik e ka ndryshuar dosjen e tenderit lidhur me paramasë dhe llogaritjen e projektit, ashtu që në versionin e gjuhës shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlera të larta dhe 12 pozicione të tjera i ka parashkruar ndryshe në gjuhën serbe, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” të fitoj tender.

Ndërsa i pandehuri Mensur Rama sipas Prokurorisë akuzohet se ka përpiluar raporte të pa vërteta duke konstatuar se punët janë kryer sipas kontratës derisa ato në realitet nuk janë përfunduar.

Kurse Aleksander Ackoviq si anëtar i Organit Mbikëqyrës, së bashku me anëtarët e komisionit për pranim teknik Bojan Banoviq dhe Cedomir Timjevic si anëtarë të këtij komisioni së bashku me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Aleksandër Kostiq akuzohen se kanë përpiluar raporte të pa vërteta, me të cilat i kanë pranuar punimet në terren edhe pse të njëjtat punime nuk i kanë përmbushur standardet sipas kontratës së paraparë.

Mirosllav Ivanovic në cilësi të menaxherit të projektit akuzohet se në vazhdimësi i ka nënshkruar këto raporte të cilat nuk kanë paraqitur gjendje faktike duke i mundësuar operatorit ekonomik ”Projektuesi” të përfitoj dobi pasurore në shumën prej rreth 408,000.00 mijë euro.

I pandehuri Ackoviq si organ mbikëqyrës, Kostiq si kryetar i komisionit për pranim teknik së bashku me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijevic si anëtarë, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale akuzohen se në tetë akse rrugore të financuara nga bashkimi evropian, “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqaniq ” duke mos i përmbushur detyrat zyrtare kanë nënshkruar raporte të pa vërteta për punime të cilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës kështu duke i mundësuar operatorit ekonomik “Lirigzoni” dhe të pandehurve Haki dhe Mehdi Haxhiu që në këtë mënyrë të përfitojnë kundërligjshëm shumën prej 1,647,244.00 euro

Kurse për kontratën ”Furnizim me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq” të nënshkruar më Konzorciumin “Eurometal” SHPK dhe “Krunzi Tok” me vlerë rreth 200,000.00 euro i pandehuri Jabllanoviq sipas Prokurorisë e kishte caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për menaxhim të projektit e dy ditë me vonë e pandehura Jelica Baraq si menaxhere e prokurimit sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq e ka përgatitur raportin e pavërtetë gjoja se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t`i bëhen pagesat.

Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë Jabllanoviq, sipas kërkesave të kompanisë “Lirigzoni” në shumën prej rreth 3,240,414.00 si dhe sipas kompanisë “Projektuesi”  për pagimin e borxhi të pretenduar në shumën prej 197,100.00 ka lidhur marrëveshje më përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi duke i aprovuar në tërësi kërkesat e tyre edhe pse sipas prokurorisë borxhi nuk ka ekzistuar.

Me këto veprime Jabllanoviq ka kryer veprën keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal.