Dosja e Prokurorisë, si u zunë të pandehurit për fajde me masa të fshehta

17 të dyshuar janë vëne dje në pranga për vepra penale të fajdesë dhe detyrimit, pas zhvillimit të një aksioni të Prokurorisë së Pejës.

Dosja e Prokurorisë së Pejës tregon për provat që i ka grumbulluar Prokuroria përmes masave të fshehta të hetimeve.

Të pandehurit, sipas dosjes, janë kapur në flagrancë përmes videoinczimeve të siguruara përmes masave të fshehta ku shihen të pandehurit duke i marrë shumat e parave në emër të interesit nga ana e viktimave.

Po ashtu, këto incizime përfshijnë edhe pohimet e të pandehurve se kanë marrë këto shuma të të hollave me herët.

“… ku shihen veprimet e të pandehurve në marrjen e shumave të ndryshme të parave në emër te interesit nga viktimat këtu apo duke i pohuar marrjen në këtë forme të parave me herët, sikurse kanosjet serioze te drejtuara viktimave me qëllim detyrimi në pagesën e interesit”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Prokuroria ka arritur të siguroje edhe 20 CD të përgjimit të bisedave, kontrata të shumta, fatura e shënime.

Për 17 të dyshuarit është mbajtur seanca dëgjimore, ndërsa pritet që shumë shpejt të merret vendimi i Gjykatës për kërkesën e Prokurorisë për paraburgim.

17 të dyshuarit janë: Kismet Krasniqi, Isë Camaj, Sokol Dembogaj, Besnik Mehmetaj, Besnik Lajqi, Driton Podrimqaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alimuaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon kastrati, Alush Bajraktaraj, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj dhe Astrit Kastrati.