Dosja e Prokurorisë: Si u tërhoqën mbi 1.2 milionë euro të Ministrisë së Shëndetësisë pa i respektuar procedurat

Prokuroria Speciale ka njoftuar se sot ka ngritur aktakuzë për përvetësim në detyrë dhe hyrje në sistemet kompjuterike, kundër dy të pandehurve M.S. dhe G.A.

Sipas aktakuzës i pandehuri M.S. në cilësinë e personit zyrtar gjatë periudhës kohore prej vitit 2014 deri në mars të vitit 2018, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare për zyrtarët e AKPPM-së.

Aktakuza thotë se këto detyra të pandehurit sipas pozitës së tij në kuadër të AKPPM-së, i janë besuar në menaxhim, mirëpo ai në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, nga llogaria bankare e Ministrisë së Shëndetësisë, nga shuma e përgjithshme prej 1,355,441.14 €, të tërhequra nga zyrtari  i MSH-së, F.K, e të cilat i ka pranuar i pandehuri M.S, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit e për shumën prej 1,221,501.14 €, nuk ka asnjë dëshmi në AKPPM, se janë respektuar procedurat për tërheqje.

Aktakuza shpjegon se të pandehurit M.S., në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe G.A., prej datës 7 shkurt 2018 deri më 12 shkurt 2018, në bashkëkryerje dhe në mënyrë të paautorizuar përmes ueb shfletuesit internet explorer kanë hyrë në sistemin kompjuterik SIMFK, të personave zyrtar të Ministrisë së Financave-Thesarit.

Ashtu që në kompjuterin e regjistruar në Ministrinë e Shëndetësisë, duke keqpërdorur User-at (fjalëkalimet) e personave të tjerë, zyrtarë të -Thesarit, të pandehurit ju kanë qasur sistemit SIMFK, kanë mbyllur avancat duke bërë regjistrimin si shpenzim dhe certifikim të avancave për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka gjatë vitit 2017 në emër te zyrtarëve të AKPPM-së dhe atë me User në emër të B.M, më 7 shkurt 2018, kishin regjistruar si  shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 15 kuponë shpenzimi në vlerë prej 20 mijë e 850 euro.

Përveç kësaj, në emër të I.Sh., gjatë periudhës 08-12 shkurt 2018, kishin regjistruar si shpenzim i avancave për udhëtime zyrtare 72 kuponë shpenzimi në vlerë prej 154,736.84 euro, në shumë të përgjithshme prej 175,586.84 euro, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se të gjitha këto të certifikuara me User të M.S., duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të  avancave të tërhequra nga banka NLB, në emër te zyrtarëve të AKPPM, në kundërshtim me dispozitat ligjore e për të cilat nuk disponohet me dokumentacion në AKPPM, për arsyeshmërinë dhe lejimin e tërheqjes së tyre.