Dosja e prokurorisë – Si u tentua djegia e veturës së gazetarit në Mitrovicë

Prokuroria e Mitrovicës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi për veprën penale  “Zjarrvënia”. I njëjti akuzohet për tentim-djegien e veturës së gazetarit Shkumbin Kajtazi në Mitrovicë

Sipas aktakuzës së siguruar nga Kallxo.com, me 13 qershor të këtij viti, rreth orës 23:30, i shtyrë nga motive të ulëta, si rezultat i mendimeve e qëndrimeve të tij personale, i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimeve në portalin “Jepi zë”, me dashje ka tentuar t’i vë flakën veturës së të dëmtuarit – gazetarit Shkumbin Kajtazi.

I pandehuri E. J., duke e ditur vendndodhjen e veturës së të dëmtuarit, fillimisht e kishte mbushur një shishe të plastikës me benzinë, e kishte stërpikë veturën në pjesën e motorit dhe në gomën e parë të veturës.

Aktakuza e thekson se i dyshuari me një letër të ndezur kishte tentuar t’ia vë flakën veturës, së gazetarit Kajtazi.

Ndërsa me të dëgjuar alarmin e veturave të policisë E. J. ikën nga vendi i ngjarjes, duke mos arritur kështu ta realizojë qëllimin e tij.

Sipas Prokurorisë me këto veprime i pandehuri i lartcekur ka kryer veprën penale “Zjarrvënia”.

Në këtë rast prokuroria e Mitrovicës më 13 tetor kishte zgjeruar hetimet edhe ndaj një të dyshuari tjetër (emër i njohur për redaksinë ), ku ishin dëgjuar edhe palë në prokurori lidhur me këtë çështje penale.

Ndërsa pas vlerësimit të kësaj çështje dhe mbledhjes se provave materiale dhe dëgjimit të palëve në procedurë, prokuroria ka ardh në përfundim se ndaj të dyshuarit të dytë, nuk ishin përmbushur elementet e veprës penale për shtytje në kryerjen e veprës se zjarrvënies.

“Prokuroria nuk gjeti elemente inkriminuese ndaj personave të cilët kishte pretenduar i dëmtuari se kryesin të ketë shtyrë ndonjë person tjetër. Kjo gjendje faktike vërtetohet edhe nga deklarata e palëve në procedurë të dhënë në hetuesi dhe në prokurori”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kurse pas dorëzimit të aktakuzës në Gjykatën e Mitrovicës, Prokuroria ka propozuar që të dëgjohet një dëshmitar dhe vetë i dëmtuari – Shkumbin Kajtazi.

Gjithashtu Prokuroria i ka propozuar Gjykatës në Mitrovicë, që të pandehurin t’a shpallë fajtor për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

Me 17 tetor gazetari Shkumbin Kajtazi, përmes një njoftimit në facebook kishte bërë të ditur se vetura e tij ishte qëlluar gjatë natës me armë zjarri.

Sipas Kajtazit është njoftuar Policia e Kosovës e cila po merret me rastin.

Kjo është hera e dytë brenda pak kohe që vetura e gazetarit Kajtazi është sulmuar në Mitrovicë.

Për rastin e parë tashmë është ngritur akuzë nga Prokuroria e Mitrovicës.

Shkumbin Kajtazi është pjesë e redaksisë së portalit “Reporteri.net”.