Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë : Si u kërkuan 30 mijë euro për subvencionim?

Për 11 zyrtarë të arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti dhe  dhënie ryshfeti, Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit.

Në kërkesën që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se dëshmitarit V.K iu kishte kërkuar shuma në vlerë  prej 30 mijë eurove që të jetë përfitues i një subvencioni.

“I njëjti kishte deklaruar se inspektori Sadat Shkodra me qëllim ia kishte zvarritur procedurat pasi që para një kohe ishte takuar me axhën e tij A.K dhe i kishte thënë se V.K ka dokumentacion  të mangët dhe për t’ia kryer këtë punë duhet të na japë 30 mijë euro pasi që i njëjti është vet i treti”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Prokuroria kishte aplikuar masa të fshehta ku në zyrën e të dyshuarit Luan Statovci ishte biseda mes tij dhe inspektorit Sadat Shkodra duke biseduar për ankuesin V.K dhe duke bërë  plane se si t’ia marrin paratë (ryshfet) në mënyrë që të ia lëshojnë vendimin për përfitimin e subvencionit.

“Po ashtu dëgjohen edhe zyrtarë tjerë të Ministrisë te cilët i kemi identifikuar siç janë : Berat Nika dhe Hasan Maxharraj, te cilët bisedojnë duke deklaruar se në disa raste se kanë marrë para nga persona te cilët kanë aplikuar për subvencione, duke i përmendur të njëjtit me emra dhe duke përmendur shuma të ndryshme te parave për të cilat thonë se i kanë marrë nga ta dhe po ashtu duke bërë plane që në vitin 2021 të marrin ryshfet shuma të parave prej 25,000.00 euro për aplikues”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Rreth 433 mijë e 160 euro janë konfiskuar, 600 dollarë, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë janë konfiskuar gjatë bastisjeve që kanë ndodhur ditën e djeshme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Dhjetë nga të arrestuarit gjatë ditës së mërkurë janë edhe zyrtarë institucionalë të cilët u arrestuan në disa lokacione të ndryshme.

Prokuroria ka njoftuar se nga 12 të arrestuarit sa kanë qenë dje, njëri nga ta vetëm është shoqëruar në polici e më pas është liruar në procedurë të rregullt. Prokuroria ka njoftuar se për cilat vepra saktë po dyshohen të arrestuarit.

Sadat Shkodra, Luan Statovci, Salih Statovci, Hasan Maxharraj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj, Adushe Ukshini, Driton Alaj, Pajtim Krasniqi, Shpejtim Krasniqi dhe Kastriote Bajrami- Sejdiu dyshohet se duke vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare kanë kërkuar apo kanë pranuar ryshfet nga persona të ndryshëm, kryesisht nga fermerët, në mënyrë që të njëjtit t’i fusin në listat e përfituesve të subvencioneve., dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka raportuar për një mori bastisjesh të cilat janë realizuar në disa qytete të Kosovës ku cak ishin institucione të caktuara që lidhen me keqpërdorimin e disa subvencioneve brenda Ministrisë së Bujqësisë.

Dy çanta me para janë gjetur te shtëpitë e dy nga të arrestuarit. Njëra çantë është gjetur brenda tualetit të një banese ndërsa një çantë tjetër është gjetur në oborr e cila dyshohet se u hodh nga familjarët e të dyshuarit.

Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria ka njoftuar se janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë lidhur me aksionin në Ministrinë e Bujqësisë.