Dosja e Prokurorisë - Si u falsifikuan rezultatet zgjedhore nga komisionerja e akuzuar në Prilep të Deçanit?

 

Marigona Lokaj nga Deçani, po akuzohet nga prokuroria e Pejës se ka kryer veprën penale: falsifikimi i rezultatit të votimit.

Sipas prokurorisë, e akuzuara Lokaj në vitin 2017 duke keqpërdorur autorizimet e saj si kryetare e komisionit zgjedhor në një vendvotim në fshatin Prilep të Deçanit ka bërë në mënyrë të gabuar regjistrimin e votave të kandidatëve.

Kështu dosja e prokurorisë thotë se e akuzuara ka regjistruar 24 vota më pak dhe 106 më shumë, ku gjithsej me 130 vota i ka dëmtuar kandidatët e ndryshëm brenda subjekteve politike për zgjedhjet e përgjithshme.

Prokuroria ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Sot në seancë gjyqësore ka munguar e akuzuara dhe prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj.

Gjyqtarja Nushe Kuka- Mekaj tha se prokurorja ka rast vdekje ndërsa të akuzuarës dy herë i është dërguar ftesa por nuk ka dëshmi që e njëjta i ka pranuar.

Mbrojtësi i të akuzuarës Lokaj, avokati Sylë Lokaj deklaroi se e akuzuara nuk ka pas mundësi me pranu ftesën sepse është jashtë shtetit, duke shtuar se ajo është e gatshme që vijë në seancë kurdo që gjykata e cakton seancën e radhës.

Në këto rrethana seanca e radhës u caktua më 21 qershor.