Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Si ndodhi përleshja me grushte e karrige në gjykatën e Ferizajt

Prokuroria e Ferizajt ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Burim Hasanit, Gramoz Hasanit, Leotrim Krrabës, Milaim Krrabës, Artan Ramadanit dhe Argjend Ramadanit të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në rrahje në seancën gjyqësore të së enjtes gjatë një seance që ishte zhvilluar për rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Të dyshuarit për rrahjen në seancë Burim dhe Gramoz Hasani janë familjarët e të ndjerit Hasani ndërsa Argjend dhe Artan Ramadani janë të akuzuarit për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Sipas përshkrimit të ngjarjes nga prokurori Valdet Avdiu, incidenti kishte nisur në momentin kur trupi gjykues ishte tërhequr nga salla e gjykimit për të marrë një vendim për përjashtimin e publikut nga seanca.

Sipas prokurorisë, fillimisht i pandehuri Burim Hasani, vëllai i të ndjerit Besart Hasani ishte nxjerrë jashtë nga policia dhe me t’u kthyer në sallë ishte nisur në drejtim të Fadil Ramadanit, i akuzuar për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit.

Fadil Ramadani është babai i të akuzuarve Albert, Artan dhe Argjend Ramadani.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Burim Hasani kishte filluar ta godasë me grushte në fytyrë Fadil Ramadanin “me qëllim që t’i shkaktojë lëndime trupore”. Më pas në sallë të gjykatës ishte krijuar një rrëmujë ku në rrahje dyshohen të jenë përfshirë edhe të pandehurit tjerë Artan, Argjend dhe Fadil Ramadani ndërsa në anën tjetër Jeton dhe Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krraba.

Prokuroria thotë se ata kanë filluar ta godasin njëri tjetrin me grushte dhe karrige të cilat janë gjendur në gjykatore.

Sipas Prokurorisë, Burim e Gramoz Hasani si dhe Milaim e Leotrim Krraba kanë kryer veprën penale të lëndimit të  lehtë trupor në bashkëkryerje.

E tutje sipas dosjes së prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, Artan dhe Argjend Ramadani, vëllezërit e Albert Ramadanit, i cili akuzohet për vrasjen e Besart Hasanit, si dhe Artan e Argjend, që akuzohen për pjesëmarrje në rrahje në rastin e vrasjes së Besart Hasanit, me dashje që t’i shkaktojnë lëndime trupore fillojnë të përleshen fizikisht duke goditur me grushte dhe karrige të pandehurit Burim e Gramoz Hasani si dhe Leotrim e Milaim Krrabën si dhe të dëmtuarit Shefqet Hasani e Shyhrete Hasani e cila është nëna e të ndjerit Besart Hasani dhe Blerina Krraba – Hasani, bashkëshortja e të ndjerit Besart Hasani. Ata dyshohen se kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Prokuroria thotë se këta të pandehur dyshohen që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Sipas prokurorisë, arsyet për caktimin e paraburgimit janë rrezikimi i pengimit të rrjedhës së procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë apo bashkëpjesëmarrës si dhe rrezikun që vepra të përsëritet marrë parasysh rrethanat në të cilat ka ndodhur incidenti.