Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë – Si ishte keqpërdorur seksualisht e mitura nga Ferizaj në një motel në Prizren

O. H. është dënuar me tre vjet burgim nga Gjykata e Ferizajt, nën akuzat për keqpërdorim seksual ndaj të miturës S. M.

Rasti sipas dosjes së Prokurorisë kishte ndodhur në një motel në Prizren qershorin e këtij viti.

“I pandehuri O.H akuzohet se qershor 2019 në një hotel në Prizren, për qëllime seksuale e ka keqpërdorur seksualisht të dëmtuarën – e mitur S.M., në atë mënyrë që pasi i njëjti është takuar me të miturën dhe pasi kanë qenë në lidhje të mëhershme, të njëjtit janë dakorduar që të shkojnë në Prizren, dhe pasi kanë marr një dhomë në hotel, gjatë qëndrimit aty i pandehuri ka filluar ta prekte të dëmtuarën me qëllime seksuale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Ferizajt.

O. H. E kishte pranuar fajin për veprën që i vihej në barrë nga Prokuroria.

“Gjyqtarja për të mitur Kadrije Goga – Lubishtani, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit O. H., për veprën penale të ngarkuar sipas aktakuzës, të njëjtin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vjet”, thuhet në njoftim.