Dosja e Prokurorisë, si i falsifikoi zyrtari i Komunës së Gjilanit vërtetimet tatimore

Bekim Korça, i akuzuar për falsifikimin e vërtetimeve tatimore, është ulur në bankën e të akuzuarit në Gjykatën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Bekim Korça, në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në vazhdimësi (nga viti 2018 e deri në vitin 2019), ka falsifikuar dokumente zyrtare-vërtetime mbi kryerjen e pjesërishme ose të plotë të obligimeve tatimore, duke futur të dhëna të pa vërteta me qëllim që persona të caktuar t`i iknin pagesës së tatimit në pronë.

Tutje sipas aktit akuzues, i akuzuari Korça në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Gjilanit ka lëshuar 6 vërtetime të pa vërteta në emër të personave të tjerë me qëllim që personat të cilëve ua ka lëshuar ato vërtetime mos të paguajnë tatimin në pronë dhe të njëjtat vendime i ka nënshkruar me qëllim të përdorimit të tyre si të vërtetë.

Korça i cili është zyrtar i tatimit në pronë në Drejtorinë për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, në seancën e sotme u deklarua i pa fajshëm në atë që e ngarkon Prokuroria e Gjilanit.

Pas leximit të akuzës nga prokurori Arben Kadriu, i akuzuari tha se nuk e pranon veprën me të cilën ngarkohet.

“Nuk e pranoj fajësinë pasi që nuk e kam kryer atë vepër  me të cilën më ngarkon Prokuroria”, tha shkurt i akuzuari Bekim Korça.

Seanca e sotme u ndërpre për t`i lënë mundësi të akuzuarit që të bëj kundërshtimin e aktakuzës.