Foto: Kallxo.com
Dosja e Prokurorisë: Si arritën gjilanasit t’i fusin paratë e falsifikuara në bankomate?
Januz Qamili dhe Besnik Durmishi kanë dalë para Gjykatës së Gjilanit për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë e cila ua ngarkon veprën penale të falsifikimit të parasë.
Në seancën e sotme, e që ishte e fundit në këtë çështje, u dha fjala përfundimtare e palëve.
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Januz Qamili dhe Besnik Durmishi, prej muajit prill e deri në muajin shtator të vitit 2016, në Gjilan kanë vënë në qarkullim para të falsifikuara.
Prokuroria thotë se i akuzuari Durmishi i ka siguruar paratë e falsifikuara në bankënota nga 50 euro, dhe me veturën e tij e ka dërguar të akuzuarin tjetër Januz Qamili për t’i dorzuar dhe vënë në qarkullim kartëmonedhat e falsifikuara në bankomatet e bankës Raiffeisen në Gjilan, Prishtinë, Viti e Ferizaj.
Ata dyshohen se e kanë dëmtuar bankën në shumen prej 10,755 euro.
“Sa i përket të akuzuarve në këtë çështje Prokuroria mbetet në tërësi pranë aktit akuzues. Është konstatuar se të njëjtit e kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje edhe pse të akuzuarit dëshirojnë të shmangin këtë fakt”, tha Prokurori i rastit Agron Uka.
Kurse përfaqësuesi i të dëmtuarës, bankës Raiffeisen, tha se e mbështet fjalën e Prokurorit.
“Kërkojmë nga gjykata që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjeve në fuqi. E paraqesim kërkesën pasurore juridike duke kërkuar nga Gjykata qe të vendosë në këtë procedurë edhe në lidhje me kërkesën pasurore juridike pasi që atë e lejon edhe ligji. Në bazë të ekspertizës është precizuar dëmi i shkaktuar ndaj të dëmtuarës. Gjithashtu kërkojmë nga Gjykata qe të merr në konsideratë të gjitha rrethanat e sqaruara nga seancat e kaluara me rastin e marrjes së vendimit në këtë çështje “, tha Besnik Nuhiu, përfaqësuesi i bankës Raiffeisen.
Avokati Flamur Ahmeti tha se i mbrojturi i tij Januz Qamili gjatë gjithë fazës si atë të hetimeve ashtu edhe në gjykim e ka pranuar veprën penale.
“Për veprën me të cilën ngarkohet edhe patëm arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe e njëjta marrëveshje ishte aprovuar nga Gjykata. Prokuroria në ankesën e ushtruar në Gjykatën e Apelit nuk është ankuar në raport me te mbrojturin tim pasi që ne patëm arritur marrëveshje dhe e njëjta ishte aprovuar në Gjykatë. Andaj kërkojmë nga Gjykata që ndaj të mbrojturit tim të shqiptohet dënimi i njëjtë si në aktgjykimin e datës 30 prill 2019”, tha avokati Ahmeti, të cilin e mbështeti edhe i akuzuari Januz Qamili.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besnik Durmishi, avokati Ymer Huruglica, tha se klienti i tij nuk e ka kryer veprën për të cilën akuzohet.
“Mbrojtja konsideron se gjatë gjithë shqyrtimit i mbrojturi im nuk e ka kryer veprën e cila i ngarkohet. Kërkoj nga Gjykata që ta lirojë klientin tim”, tha Avokati Huruglica të cilin gjithashtu e mbështeti i akuzuari Durmishi.
Gjykata e Gjilanit e kishte vendosur këtë çështje më 30 prill 2019 duke e dënuar të akuzuarin Januz Qamili dhe duke e liruar të akuzuarin tjetër Besnik Durmishi. Por gjykata e Apelit më 28 gusht 2019 këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve procedurale.
Shpallja e vendimit lidhur me këtë çështje do të bëhet më 16 mars.