Ilustrim

Dosja e Prokurorisë - Shukri Shyti sulmoi gjyqtarin Rifat Bllata me shqelma, çadër dhe vezë

 

Shukri Shyti, i akuzuar për sulm ndaj gjykatësit mbikëqyrës në Gjykatën e Vushtrrisë, Rifat Bllata, e ka mohuar sulmin.

Shyti akuzohet se më 10 dhjetor 2019, në Vushtrri, kishte sulmuar Rifat Bllatën, në lidhje me detyrat e tij zyrtare.

Sipas Prokurorisë, i dëmtuari kishte nxjerrë një urdhëresë në kuadër të detyrave zyrtare ndaj të pandehurit, me ç’rast ky i fundit i pakënaqur me ketë vendim, siç pretendon organi i akuzës, ditën kritike fillimisht e kishte goditur me shqelm në pjesën e gjurit në këmbën e djathtë, e më pastaj në zogun e këmbës së majtë, ndërsa me çadrën të cilën e mbante në duar e kishte goditur në ballë dhe hundë, si dhe me vezë në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore në regjionin e fytyrës dhe të këmbëve.

Me këtë, sipas Prokurorisë, ka kryer veprën penale “sulmi ndaj personit zyrtar”.

Kurse në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Shpëtim Peci, i akuzuari Shyti, është deklaruar se nuk ndihej fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet nga prokuroria.

“Nuk e ndjej veten fajtor për veprën penale që më vihet në barrë. I propozoj gjykatës që të lirohem nga paraburgimi me premtim se nuk do të largohem nga Vushtrria dhe do t`i përgjigjem gjykatës çdo herë”, tha pandehuri Shyti.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rexhep Kaçaniku, i ka propozuar gjykatës që masën e paraburgimit t`ia zëvendësojë me atë të arrestit shtëpiak.

Gjykatësi Gëzim Ademi i ka njoftuar palët se në afat prej 30 ditësh mund të paraqesin kundërshtimet në lidhje me akuzën.

Kurse sa i përket propozimit për ndërrimin e masës së paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, gjykatësi Ademi ka njoftuar se për këtë do të vendos me aktvendim të veçantë.