Dosja e Prokurorisë: Rezervisti serb e detyroi shqiptarin të pijë alkool e të këndojë këngën nacionaliste serbe

Ish-polici rezervë serb, Nenad Arsiq, u soll të mërkurën në gjykatën e Prishtinës i prangosur në duar e këmbë dhe në përcjellje të policisë për t’u përgjigjur për akuzat për të cilat ngarkohet.

Ai akuzohet nga prokuroria Speciale se më 21 maj 1999 kishte hyrë në lagjen “Emshir” të Prishtinës bashkë me disa persona tjerë të uniformuar dhe i kishte keqtrajtuar e plaçkitur qytetarët që atë kohë qëndronin ende në lagje.

Por Arsiq, nga banka e të akuzuarit, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për krimet për të cilat ngarkohet.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Asiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e  datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, pasi i akuzuari Asiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari “me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit”.

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes të gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas prokurorisë nga familja Shala, pjesëtarët e policisë serbe kishin marrë 3, 200 litra naftë të mbushur në fuqi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.

I akuzuari Nenad Arsiq gjendet në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Aktakuza ndaj tij është ngritur më 6 dhjetor të këtij viti.

Ngritet aktakuzë ndaj ish-policit serb për krime lufte në Kosovë