Dosja e Prokurorisë: Prizrenasit blenë banesa me para të fituara nga droga

Eksperti financiar Bali Morina, i propozuar nga Prokuroria Speciale ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin ndaj të akuzuarve për shpëlarje parash,Shahadin dhe Sefer Hasani.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shahadin Hasani gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, me paratë të cilat i ka përfituar nga aktiviteti kriminal ka blerë një banesë në Prizren.

Të pandehurin Sefer Hasani, aktakuza e ngarkon se gjatë vitit 2015, me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës e burimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal, i cili aktivitet ishte i ndërlidhur me veprën penale – narkotikët, dhe me qëllim që kjo pasuri e kundërligjshme të duket si e ligjshme, ka blerë banesë sipas kontratës mbi bashkimin e mjeteve për ndërtimin e banesave si dhe kompensim një veturë xhip në vlerë prej 20.000 euro.

Në pyetjen e prokurores së shtetit Habibe Salihi ndaj ekspertit Morina se “A mund t’i sqarohet trupit gjykues më saktësisht se a ka qenë fitimi i kompanisë ‘Lekacom’ 4,290.00 apo 251,495 euro neto?

Eksperti Morina tha se “Ka pasur të ardhura bruto lidhur me aktivitet operative, por që brenda këtyre shumave janë pagat e punëtorëve brenda këtij subjekti ekonomik, që kanë realizuar të hyra nga pagat, pra ai që e ka marrë pagën dhe shpenzim operativ ai që ka paguar. Them se si rregull, logjike, profesionale, ekonomike është kur prej të ardhurave bruto i zbret shpenzimet operative, i zbret të ardhurat neto”.

Ndërkaq sa i përket pyetjes së kryetares së trupit gjykues Albina Shabani Rama lidhur me bazën mbi të cilën ka përgatitur ekspertizën e tij financiare, kjo sa i përket faktit se a ka pasur të ardhura i pandehuri për blerjen e këtyre pronave.

Eksperti Morina u përgjigj se “Është marrë qarkullimi i përgjithshëm, sepse nga përvoja ime mbi 35 vite në këto lëmi dhe te operatorët ekomomik shpesh herë ndodhë që në shpenzimet operative kalkulojnë, llogariten edhe kategori të ndryshme të shpenzimeve si elementi i bazës më të ulët për tatimin”.

Më tutje eksperti shtoi se “Në rastin kur kemi të bëjmë me të ardhurat nga pagat e të punësuarve, të ardhurat si dhuratë nga familja, të ardhurat të tjera nga anëtarët në botën e jashtme dhe biznesi japin të dhëna të mjaftueshme se financiarisht potenciali i këtij operatori të këtyre të pandehurve ka qenë i mjaftueshëm për kërkesat të cilat kanë qenë të parashtruara për verifikim të gjendjes financiare, qoftë për blerjen e 2 banesave, ku njëra akoma nuk është paguar, apo edhe disa parcelave të cilat realisht nuk janë objekt i ekspertizës”.

Më tutje në pyetjen pasuese të kryetares së trupit gjykuese Albina Shabani Rama se “Meqenëse ju keni vlerësuar se i pandehuri ka të hyra neto të mjaftueshme, a mund të na tregoni sa kanë qenë të hyrat neto?”.

“Në ekspertizë (pjesën te B-ja), 14,032.00 euro të nxjerra, saldoja e mjeteve në ekstrakt, tek c i ke të hyrat nga pensioni nga Gjermania dhe pensioni nga Kosova 72,182.16 euro të dyja arrijnë këtë shumë”, tha eksperti Morina.

Seanca e radhës u caktua me datë 11.2.2020.

Të akuzuarit për shpëlarje parash ndihen të pafajshëm