Prapa grilave - Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Prizrenasi në sy të fëmijëve kanosi gruan me kallashnikov

 

Një grua dyshohet se është kanosur me armë nga bashkëshorti i saj në Prizren.

Sipas njoftimit të Gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 12 shtator 2021 në shtëpinë ku jeton i dyshuari bashkë me gruan e tij.

“I pandehuri B. A., në prezencën e fëmijëve, merr armën – pushkë automatike AK-47 dhe ia drejton të dëmtuarës duke i thënë “të vras” – me ç ‘rast tek e dëmtuara shkakton frikë dhe ankth”, thuhet më tej në njoftimin e gjykatës.

Sipas prokurorisë, i pandehuri po ashtu deri më datë 13 shtator, ka mbajtur në pronësi dhe në posedim armën – pushkë automatike AK-47, së bashku me 82 fishek, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm për armët.

Ndaj të dyshuarit B. A., Gjykata në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaji nën dyshimin se ka kryer veprat penale posedim i paautorizuar i armëve dhe veprën e kanosjes.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale, si dhe mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri në kundërshtim me ligjin posedon armë, dhe kanos të dëmtuarën – bashkëshorten e tij në prani edhe të fëmijëve të tyre, atëherë me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti mund të përfundoj veprën penale për të cilën është kanosur, ose mund të përsërisë të njëjtën vepër penale.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.