Arkiv: Oliver Ivanoviq

Dosja e prokurorisë për vrasjen e Ivanoviqit: Si u fshehën provat dhe u ndalën kamerat e sigurisë

Prokuroria Speciale në Prishtinë ka njoftuar gjatë ditës së sotme se ka ngritur aktakuzë ndaj N. S., M. R., S. A., D. M., Z. J., dhe R. B., për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Në aktakuzën e Prokurorisë janë dhënë detaje se si ka ardhur deri te vrasja e Oliver Ivranoviq, përmes ndihmës së hetuesve policor, ndaljes së kamerave të sigurisë, e fshehjes së provave.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se të pandehurit N. S., M. R. dhe R. B., të cilët gjenden në paraburgim, si dhe M. R., Z. V. dhe Zh. B., të cilët gjenden në arrati, ka lëshuar urdhër arrest dhe letër rreshtim ndërkombëtar në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale, pasi që të njëjtit kanë vepruar si grup kriminal i organizuar me strukturë dhe hierarki në grup, me role të përcaktuara formalisht, grup ky i cili nuk është formuar rastësisht, vepron që nga viti 20011.

Ky grup sipas Prokurorisë udhëhiqet nga të pandehurit Z. V., dhe M. R., të cilët gjenden në arrati, dhe të njëjtit veprojnë në vazhdimësi dhe në bashkëpunim, që të kryejnë vepra penale, dhe po të njëjtit sipas Prokurorisë kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit, dhe i njëjti grup paraprakisht i ka djegur edhe veturën e tij.

Prokuroria ka sqaruar se i pandehuri N. S. ditën kur është vrarë Oliver Ivanoviq, i ka lehtësuar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve për vrasje.

Sipas Prokurorisë, në ditën e vrasjes i pandehuri N. S., së bashku me dy polic që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes, Zh. J. dhe D. M., nuk i kanë kryer detyrat dhe autorizimet policore në vendin e ngjarjes, por kanë lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë, edhe pse kanë parë se persona të pa autorizuar kanë fotografuar dhe dëmtuar provat e mundshme në vendin ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Sipas Prokurorisë i pandehuri N. S., poashtu ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke u lehtësuar të dyshuarve që të marrin veturën e markës Opell Astra, pa targa me dritare të errësuara, ta përcjellin të njëjtën veturë në drejtim të qytetit, nga e cila veturë është shtënë gjashtë herë në Oliver Ivanoviqin.

Gjatë një urdhër kontrolli nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me 23 nëntor të vitit 2018 në shtëpinë e të pandehurit N. S., janë gjetur dhe sekuestruar, një kallashnikov, një karikator, 106 fishekë, një granat dore, shufër gome, një tyt tromblloni për kallashnikov, një jelek ushtarak, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa lejen e organit kompetent.

I pandehuri tjetër M. R., sipas Prokurorisë, ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit  N. S., R. B., M. R.,  Z. V., dhe Zh. B., dhe ka përcjellë Ivanoviqin para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në xhepin e tij është gjetur një copë letër me targa të veturës “KM-014-FZ”, i markës xhip Santa FE me ngjyre të zezë, veturë kjo e cila e ka përcjellë pas vrasjes së viktimës edhe vëllain e viktimës M. I.

Sipas aktakuzës, hetuesi policor R. B., përmes Zh. B., ka bashkëpunuar ngushtë me grupin kriminal të organizuar të M. R., nga i cili ka marr urdhra nga ky grup për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë.

Sipas Prokurorisë, hetuesi policor është angazhuar nga grupi kriminal që t’i fsheh gjurmët e krimit dhe mos të zbardhen rastet, kur kanë të bëjnë me personat e dyshuar që janë pjesë e grupit kriminal të M. R.

Tutje sipas aktakuzës, e pandehura S. A., ka ndihmuar në vrasjen e Oliver Ivanoviqit pasi që në kohën e vrasjes, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e “SDP”-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyqur nga rryma, duke ju mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos inçizohen nga  kamerat e sigurisë.

Menjëherë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, e pandehura më 16 janar 2018, ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë “SDP”, e cila ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre.

Tutje në aktakuzë janë dhënë detaje edhe për të pandehurin D. M., zyrtar policor, i cili me 16 janar, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, i ka dhënë një zyrtari policor  të dhëna që përbëjnë fshehtësi zyrtare nga vendi i ngjarjes.

Gjithashtu, të pandehurit D. M. dhe Zh. J., në cilësi të personave zyrtar më 16 janar 2018, akuzohen se nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare pasi që pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, të cilin nuk e kanë siguruar duke lënë personat e tjerë që të ndërhyjnë në vendngjarje, duke i dëmtuar provat materiale.

Të njëjtit sipas aktakuzës, pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe me qëllim që të fshehin dhe bëjnë të pashfrytëzueshme provat, i pandehuri D. M., ka bërë me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zh. J., e ka marr dhe e ka futur në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër D. M., janë larguar nga vendi i ngjarjes duke mos e siguruar vendin e ngjarjes.

Tutje në aktakuzë janë dhënë detaje edhe për të pandehurin e fundit Zh. J., i cili sipas aktakuzës akuzohet për armëmbajtje pa leje, pasi që me 10 shkurt 2018, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT dhe 9 fishekë.

Prokuroria ka sqaruar se deri te ngritja e kësaj aktakuze, janë ndërmarrë veprime të shumta procedurale-hetimore, ku janë dëgjuar rreth 100 dëshmitarë, 30 prej të cilëve janë intervistuar nga prokurori i rastit, të tjerët nga hetuesit e rastit.

“Të pandehurit janë intervistuar më shumë se njëherë, ndërsa janë zgjeruar hetimet edhe ndaj dy të pandehurve M. M. dhe Zh. B., të cilët gjenden në arrati dhe ndaj të njëjtëve është lëshuar udhërarresti”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, nga shkresat e lëndës shihet se krerët e krimit të organizuar të cilët veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, kanë ndikim në Policinë e Kosovës, në komunat dhe në ndërmarrjet publike të asaj pjese.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Veprat për të cilat kërkohet Zhelko Bojiq, i dyshuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

 

Prokuroria Speciale zgjeron hetimet për vrasjen e Oliver Ivanoviq

Prokuroria Speciale tregon se çfarë informacione mori nga Serbia për vrasjen e Oliver Ivanoviq

.