Dosja e Prokurorisë për vrasjen e 27-vjeçarit në Mitrovicë - Sherri nisi për një fidan të lajthisë

Një rast tragjik ndodhi të shtunën në tregun e gjelbër në Mitrovicë, ku i vrarë mbeti viktima 27 vjeçar V. F., dhe u plagosën dy persona të tjerë, L. F., dhe A. A., kalimtar i rastit.

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës i ka caktuar masën e paraburgimit pej 30 ditësh një të dyshuari për veprën penale vrasje e rëndë.

Në vendimin e Gjykatës për caktimin e paraburgimit, përshkruhet se një fidan e lajthisë ishte bërë sherr për fillimin e një zënke në mes të tashmë të ndjerit si shitës dhe Sh. A., si blerës i fidanit.

Në dosje theksohet se fillimisht kishte nisur një konflikt fizik ndërmjet tyre, ku sipas vendimit të siguruar nga Kallxo.com thuhet se i dyshuari ka privuar nga jeta V. F. Në dosje thuhet se pas një zënke rreth shitblerjes se fidanëve vjen deri te konflikti fizik mes tyre me ç’rast i dyshuari Sh. A., nxjerr pistoletën ku i kishte shkaktuar plagë të rënda viktimës, si pasojë e të cilave vdes në Spitalin Regjional të Mitrovicës, viktima V. F., raporton Kallxo.com.

Tutje në dosje përshkruhen edhe veprimet tjera të të dyshuarit, Sh. A., i cili siç theksohet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com kishte shtënë edhe në drejtim të axhës së të ndjerit, të cilit i kishte shkaktuar plagë në anën e majtë të belit, i plagosur kishte mbetur edhe një kalimtar i rastit.

Në këtë rast janë dëgjuar disa dëshmitarë, ndërsa pritet që të dëgjohen edhe të paktën shtatë të tjerë për të cilët në vendim thuhet se njihen me të pandehurin, e që ende nuk janë proceduar në prokurori, andaj nën këto arsye gjykata gjen se po që se i njëjti lëshohet të mbrohet në liri do të mund të ndikoj në këta dëshmitarë.

Në arsyetimin për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit Sh. A., gjykatësi Ali Kutllovci ka vlerësuar se masat e tjera më të buta, do të ishin të pa mjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, parandalimin e ndikimit në dëshmitarë apo përsëritjes së veprës penale, apo përfundimin e veprës penale.

Gjatë mbajtjes së seancë prezent në seancë ka qenë edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Mahmut Halimi.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet lidhur me kualifikimin e veprës penale, por nuk e ka kontestuar propozimin e prokurorit të vetëdijshëm se ka ndodhur një rast tragjik.

“Deklaroj se nuk do mend se bëhet fjalë për një rast tragjik dhe të papritur, ka ndodhur një fjalosje e cila ka eskaluar fillimisht me sulm me mjete të rrezikshme nga ana e tani të ndjerit duke i shkaktuar të pandehurit një lëndim një pjesë tejet vitale. Në këto rrethana për momentin nuk do të deklarohem rreth kualifikimit juridik të veprës penale. Nuk e kontestojmë propozimin e prokurorit, nuk na mbetet asgjë veç nga ky vend në emër timin dhe në emër të klientit tim të ju shpreh ngushëllime familjes se të ndjerit për humbjen e më të dashurit të tyre”, ka thënë Halimi.

Kurse i pandehuri Sh. A., është pajtuar në tërësi me fjalët e mbrojtësit të tij.

Ky vendim paraprak i gjykatës është bazuar edhe në procesverbalet e dëgjimit të dëshmitareve dhe vetë të pandehurit, si dhe aktvendimit mbi fillimin hetimeve.

Dëshmitari L. R.( polic), kishte deklaruar se ka shkuar së bashku me të dyshuarin në treg, ndërsa ishin afruar të vendi ku viktima ishte duke shitur fidanë, i dyshuari ishte interesuar për një fidan të lajthisë dhe gjatë bisedës me shitësin tani viktimën, ky i fundit kishte filluar ta ngris zërin.

“Por në një moment shitësi ju kishte thënë pritni këtu, ishte larguar nga aty dhe ishte kthyer se bashku me një person tjetër të cilët kishin filluar t`i sulmojnë dhe të dyshuarin Sh. A., e kishin goditur me gërshërë të pemëve“, thuhet më vendimin e gjykatës, për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit Sh. A., raporton Kallxo.com.

Ndërsa L. F., axha i të ndjeri kishte deklaruar se ishte munduar ta parandaloj ngjarjen por se sipas tij, djali i vëllait tashmë i ndjeri i kishte ikë.

“Hajde deri këtu dhe ka vrapu në drejtim të vendit ku shet fidane, unë e kam kap menjëherë që ta ndali e ta di çka po ndodhte, por më iku, shkoi para kamionit dhe e kam pa një grumbull njerëz duke u shty… dhe më pas ka kris alltia, jam afrua e ka pa një person me armë në dorë dhe nipin V…, të shtrirë në tokë. I kam thënë se ma vrave djalin e vëllait, ai ma drejtoi armën dhe me gjuajti edhe mua dhe më goditi në bark…”, kishte deklaruar L. F., thuhet në vendimin e gjykatës.

Detaje të reja nga vrasja në Mitrovicë