Dosja e Prokurorisë për shpëlarjen e parave, si u shmangën tatimet në vlerë mbi 1.2 milionë euro
Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj, të akuzuar për shpëlarje parash, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi janë ballafaquar me dëshminë e ekspertit financiar, cili ka konstatuar se shmangia tatimore në këtë rast arrin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.
Eksperti financiar Ramadan Ferizi, nga i cili ishte kërkuar të plotësohej ekspertiza, deklaroi se sipas ekspertizës dhe llogaritjeve të tij, të bazuara në raportet e ATK-së, gjithsej Nuhi Hoxha për tëra bizneset që ka qenë i autorizuar, iu kishte shmangur tatimit në shumën 794,993.71 eurove.
“Gjithsej shmangia tatimore sipas ekspertizës duke përfshirë tërë bizneset që Nuhi Hoxha ka qenë i autorizuar është 794,993.71(Euro)”- tha eksperti Ferizi.
Ndërsa sa i përket të akuzuarës Shahe Tahirukaj, eksperti deklaroi se shuma gjithsej e shmangies nga tatimi për bizneset në pronësi të saj, është mbi 410 mijë euro.
“Sipas llogarive të mia në ekspertizë, sipas raportit të ATK-së, sipas aktakuzës shmangia totale nga tatimi është rreth 419,555.51 euro”- tha eksperti financiar para trupit gjykues.
Sipas ekspertit Ferizi, edhe ky raport vetëm se e mbështet ekspertizën fillestare dhe vërteton aktakuzën, meqë llogaritjet janë të përafërta me ato shuma që Prokuroria i pretendon në aktakuzë.
Mbrojtja e të akuzuarit Nuhi Hoxha, avokati Emrush Kastrati i propozoi gjykatës superekspertizë, meqë nuk pajtohet me ekspertizën në fjalë.
Këtë e kundërshtoi prokurori i rastit, Atdhe Dema, pasi sipas tij tërë ekspertizat janë në përputhje me njëra tjetrën.
Me këtë u pajtua edhe trupi gjykues, i cili e refuzoi një propozim të tillë të mbrojtjes.
Trupi gjykues, mori vendim që të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve pronarët e bizneseve në fjalë, konkretisht ish të akuzuarit në këtë rast, ku sipas gjykatës do të vërtetohen autorizimet e tyre ndaj tani dy të akuzuarve.
“Gjykata për ta sqaruar çështjen ka marrë vendim që t`i ftoj në cilësi të dëshmitarëve pronarët e bizneseve për të cilët ka pushuar procedura penale të cilët më nuk janë të bashkakuzuar. Me ta do të vërtetojë se çfarë funksionesh kanë pas të akuzuarit dhe autorizimet e tyre në ato biznese, pra në seancën e radhës do të ftohen Edomond Curri, Fisnik Kajtazi, Mensur Peja”- tha gjyqtari i rastit, Valon Kurtaj.
Me aktvendimin e datës 20 nëntor 2019, Departamenti Special i kësaj Gjykate kishte aprovuar pjesërisht kërkesat për hedhjen e aktit akuzues të parashtruar nga mbrojtësit e të akuzuarve Nuhi Hoxha, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, avokatët Emrush Kastrati, Leon Përlaskaj dhe Florent Latifaj, për pikat V, VI dhe VII të dispozitivit të aktakuzës.
Si rrjedhojë, gjykata ka pushuar procedurën penale sa i përket këtyre pikave të dispozitivit të aktit akuzues për të akuzuarit Edmond Curri, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
Ky vendim i nxjerrë në shkallë të parë është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, e cila ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka hedhur pjesërisht aktakuzën dhe ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Të akuzuarit Nuhi Hoxha prokuroria po i vë në barrë se që nga viti 2006 deri në 2014 në cilësinë e pronarit të Firmës “D.SH. BIMI SHPED” dhe i autorizuar në firmat “Edi” me pronar Edmond Curri, “Rrufeja” me pronare Shahe Tahirukaj, “FISI” me pronar Fisnik Kajtazi dhe “A&E” me pronar Mensur Peja, duke ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, pasi që veç kishte kryer veprat penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi, së pari i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara.
Sipas aktakuzës, ato para në shumën prej 2,734,708.00 euro i ka deponuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni të Veriut dhe vende tjera me qëllim që të fsheh apo maskojë burimin, vendin, dispozicionin e tyre. Me këtë Nuhi Hoxha akuzohet për shpëlarje të parave.
I njëjti sipas prokurorisë akuzohet edhe se në periudhën kohore 2006-2014 ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset “FISI”, “Rrufeja” dhe “A&E”, me veprimet e tij i ka mundësuar bizneseve tjera përfitim të kundërligjshëm. Përfitimi për veten apo për të tjerët është 674,312,79 euro, ku edhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës sipas Prokurorisë.
Dosja e Prokurorisë tutje thekson se ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajte të rreme edhe e akuzuara Shahe Tahirukaj.
Nga këto fatura fiktive sipas Prokurorisë e njëjta ka fituar vlerën prej 3 për qind për secilën nga to. Në dosje thuhet se me këtë ajo ka fituar vlerën prej 18,241,21 euro.
Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj akuzohen edhe se kanë deklaruar një qarkullim më të vogël se qarkullimi real i biznesit N.P.SH. “Rrufeja”.
Të njëjtën sipas aktakuzës Nuhi Hoxha e ka bërë edhe me Edmond Currin në biznesin D.P.H. “Edi”, me Fisnik Kajtazin në biznesin N.T.SH. “Fisi” dhe Mensur Pejën në biznesin “A&E”.
Në bazë të aktakuzës, disa pika të së cilës janë parashkruar, Nuhi Hoxha ka bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 30,174.13 euro, Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha në vlerë prej 7,572.05 euro, Shahe Tahirukaj në vlerë prej 419,555.51 euro, Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri në vlerë prej 187,083.10 euro, Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi në vlerë prej 393,178.72 euro, Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja në vlerë prej 86,478.82 euro.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK