Dosja e Prokurorisë për rrejtin që kontrabandonte kosovarët për në vendet e BE-së

 

Muzafer Sejdiu, i akuzuar nga Prokuroria për krim i organizuar dhe kontrabandim me migrantë, e ka pranuar fajësinë, pasi të njëjtit i është ndryshuar vepra penale.

Prokurorja e shtetit Habibe Salihi, precizoi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muzafer Sejdiu, duke hequr dorë nga ndjekja penale për veprën penale krim i organizuar dhe duke qëndruar pranë ndjekjes penale kontrabandim me migrantë, pasi që sipas prokurores Habibe Salihi, për të ekzistuar krimi i organizuar duhet të plotësohen disa kushte sipas Konventës se Kombeve te Bashkuara.

“Për të ekzistuar krimi i organizuar duhet të ekzistojnë tre e me shume persona duhet të ekzistojë grupi i strukturuar dhe meqenëse në rastin konkret në këtë fazë të procedurës kemi të bëjmë vetëm më një të akuzuar, i cili ka vepruar në bashkëveprim me Jahi Jahiu, i cili për këtë vepër penale është dënuar. Për këtë arsyeje e kam bërë edhe precizimin e përshkruar më lartë, dhe heq dorë nga krimi i organizuar dhe qëndroj pranë ndjekjes penale të kontrabandimit me migrantë”, tha Salihi.

Pas ricilësimit të veprës penale i akuzuari Muzafer Sejdiu e pranoi fajësinë lidhur me veprën penale kontrabandim me migrantë.

Prokurorja Habibe Salihi në aktakuzën e precizuar shpjegon se “i akuzuari Muzafer Sejdiu duke bashkëvepruar me të akuzuarin Jahi Jahiu dhe me NN personat është marrë më kontrabandimin e migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare nga shtetas të Republikës së Kosovës”.

Më tutje në precizim të aktakuzës, prokurorja Salihi shton se “nga hyrja e tyre e paligjshme në shtet në të cilat ata nuk janë banorë të përhershëm, në ditët e papërcaktuara gjatë periudhës kohore 2013/2014 sipas marrëveshjes paraprake me të pandehurin Jahi Jahiu, fillimisht ka rregulluar dokumentet e falsifikuara të cilat janë përdoruar nga migrantët. Pastaj poashtu në bashkëveprim me të pandehurin Jahi Jahiu kanë kontraktuar shtetasit e interesuar të  Republikës së Kosovës, për të migruar në vende të ndryshme të BE-së për qëllime komerciale. Në aktakuzë thuhet se nga i dëmtuari Muhamet Hyseni kishin për qëllim të përfiton shumen prej 2,500 euro, për emigrimin e të dëmtuarit Lulzim Hyseni shumën prej 3,000 euro, për të dëmtuarin Visar Avdiu shumën prej 2,700 euro, për të dëmtuarin Leotrim Hyseni shumën prej 3,000 euro dhe për të dëmtuarin Reshat Avdiu shumën prej 2,700 euro. ( një pjesë të këtyre të hollave i kishte përfituar).

Sipas aktakuzës të gjithë këta të dëmtuar,  i akuzuari Muzafer Sejdiu duke bashkëvepruar më të bashkë të pandehurin Jahi Jahiu, i kanë dërguar deri në Gjergjeli afër kufirit grek pastaj, duke bashkëpunuar me NN personi (Pavle) të dëmtuarit i kanë dëmtuar në fshatin Igumenicë të Greqisë (Port detar në Greqi) për të hipur në anije që të kalojnë në Greqi pastaj të vazhdojnë në Francë apo në vende të tjera të BE-së, ku ka qenë destinacioni i fundit të ndalimit të tyre, për të arritur statusin e refugjatit në atë shtet.

Dosja e Prokurorisë sqaron se për shkak të mos pagesës që të pandehurit nuk ia kishin bërë personit NN (Pavle), të dëmtuarit Visar, Leutrim dhe Reshat i kanë lënë në qytetin Igumenicë derisa janë arrestuar nga organet e rendit dhe janë kthyer në Republikën e Kosovës, ndërsa të dëmtuarit Muhamet Hyseni dhe Lulzim Hyseni duke hipur në anije poashtu janë zënë nga organet kompetente dhe janë kthyer në Republikën e Kosovës, me këtë rast të dëmtuarve nga i akuzuari Muzafer Sejdiu u janë shkaktuar dëme materiale dhe jo materiale.

Me këtë prokuroria po ngarkon të akuzuarin Muzafer Sejdiu se ka kryer veprën penale kontrabandim me migrantë.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të premten 24.1.2020 , në ora 13:00.