Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë për pesë policët e akuzuar se ia thyen brinjtë një qytetari në Gjakovë

Pesë policë të stacionit policorë të Gjakovës pritet të përballen në Gjykatë me aktakuzën e ngritur sot ndaj tyre nga Prokuroria e Gjakovës.

Në dosjen e Prokurorisë theksohet se me anë goditjeve zyrtarët policorë i kanë shkaktuar të dëmtuarit lëndime të rënda trupore, ndrydhje të indeve të buta të kraharorit, thyerje të brinjëve, gjakderdhje nen lëkurorë në regjionin e veshit e të nofullës, e dëmtime të tjera të përshkruara në ekspertizën mjeko ligjore të grupit të ekspertëve.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje si dhe  lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje.

Sipas Prokurorisë të dyshuarit B. H., E. K., A. L., E. K.,  dhe E.G., zyrtarë policorë ditën kritike e vërejnë të dëmtuarin B. B., se nuk i përmbahet sinjalizuesit të semaforit, të njëjtit i vihen pas me veturën zyrtare, ku i dëmtuari fillimisht nuk ndalet, por pas një kohe ndalon dhe del nga vetura dhe i kërkon falje zyrtarëve policorë duke i thënë se ishte i sëmurë.

Në komunikatë thuhet se më pas njëri polic menjëherë e godet me grusht në kokë të dëmtuarin duke e rrëzuar në tokë dhe pastaj të gjithë e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte e shqelma në kokë e pjesë të ndryshme të trupit.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë kryer veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare apo autorizimeve publike në bashkëkryerje dhe veprën penale lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, për veprën penale e cila i vihet në barrë.